TIRANE- Peja, qyteti në pjesën perëndimore të Kosovës, në të cilin të bien në sy dyqanet e shumta artizanale, gjësendet me ushqime tradicionale në treg, mikpritja nga banorët që thonë se e kanë traditë nga të parët, rrëfenjat për të kaluarën ku përmenden heronj të shumtë të rënë në beteja me armikun malazias për të mbrojtur kufirin…, të lënë përshtypjen e një vendi ku tradicionalja dhe historia po mbrohet me fanatizëm.

Por ky qytet në rajonin e Dukagjinit aty prej ku shekuj më parë doli kushtetuta e lashtë shqiptare “Kanuni i Lekë Dukagjinit” e në të cilin thuhet se: “Vajza s’ka tager me mendue për fatin e vet”, po ndodh revolucioni femëror.

Në lagjen që njihet si tek “Xhamia pa minare” është hapur kafeneja e grave. Në këtë kafene burrat nuk janë të mirëpritur. Madje, atyre u ndalohet të hyjnë. Gra amvise, mësuese, mjeke…, të reja apo të vjetra, po bisedojnë këndshëm në kafenenë, e cila gjendet në katin e dytë të një ndërtese pranë kësaj Xhamie. Ato po dëgjojnë njëra­tjetrën, po e urojnë për diçka të re në jetën e tyre, disa po ia lehtësojnë me fjalë përditshmërinë apo hallin që ndonjëra nga to ka.

Kafeneja ka atmosferë shtëpie, jo shumë dekorim, por disa ulëse të rehatshme bardhë dhe zi, ku dominon edhe e kuqja e që sipas pronares së kafenesë, që e quajnë Satka, ka një mesazh për gratë se jeta nuk është vetëm bardhë e zi, por ka dhe ngjyra, ashtu siç ajo thotë se dallon shija e çajit nga ajo e kafesë. (Zeri)
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb