Nga: Dritan HILA

Është një lutje, letër e hapur apo tërheqje vëmendjeje për tre zotërinjtë që kanë qenë shumë aktivë në ruajtje të monumenteve të së shkuarës, por sot për shkak të funksioneve shtetërore janë të heshtur. Janë të mirëkuptuar.

Jo sepse nuk janë të mirëpritur protestuesit, por sot ata nuk bëjnë punë, sepse Rama ka shumë më tepër vota nga sa i duhet të qeverisë, presidenti i pafuqishëm dhe gjykata e terrorizuar, ndaj mund t’iu priste kollaj kokën.

Nuk janë të paragjykuar as pse punojnë në shtet. Në një vizitë të tij në Ermitazh në kohën kur ishte ambasador në Moskë në periudhën kur ende nuk kishte rënë komunizmi, Serxhio Romanos i bën përshtypje klasi i ciceronit. E pyet për origjinën dhe mikpritësi i thotë se ishte pinjoll kontësh, i vetmi i mbetur pa pushkatuar nga familja e tij. Romano mbetet i habitur dhe e pyet si ia bën që u shërben komunistëve. Dhe përgjigja e kontit ishte: Zotëri, nëse do iu shtypte familjen treni, ju nuk do të hipnit më në tren?

E sjell këtë për të hequr mitin se të gjithë ata që punojnë në shtet janë bashkëpunëtorë të shefit të qeverisë. Madje, në raste si ai i Ramës kur kontrollon të gjitha pushtetet, tre zotërinjtë janë të vetmit që mund t’i flasin dhe kërkojnë që të ndalë vrullin për prishjen e Teatrit Kombëtar.

Këta janë jo vetëm miq të Ramës, por edhe njerëz që e dinë se çfarë është trashëgimia kulturore; e dinë se zëvendësimi nga një ndërtesë qoftë më moderne dhe e madhe e ndërtesës ekzistuese, i heq një kujtim dhe pikë referimi kryeqytetit, e cila godinë është më shumë sesa objekt ku jepen shfaqje dhe punësohen artistë.

Me siguri e dinë rastin që kur në parlamentin italian po diskutohej kthimi i Kokës së Deas së Butrintit i marrë nga Ugolini dhe mbrojtësi i rikthimit argumentoi se ishte pjesë e trashëgimisë sonë kulturore, një deputet i MSI (neofashistët) iu kthye me britma se në bregun përballë kishin vetëm një tufë njerëzish të egër dhe paqytetëruar, ndërtesat e vetme të së cilëve i kishin bërë fashistët. E dhimbshme, por pjesërisht e vërtetë. Sepse hiq qendrat e disa qyteteve të stilit oriental, të cilat nuk ekzistojnë më, të vetmet që na kanë mbetur janë godinat e ministrive dhe disa të tjera që numërohen me gishtat e dorës.

Personalisht shpresoj që do ta bëjnë kryeministrin t’i thërrasë mendjes. Dikur Albert Speer, arkitekti i preferuar i Hitlerit dhe beniamin i tij, theu urdhrin e dhënë nga shefi i nazistëve për të rrafshuar me tokën qytete gjermane për të ndalur ofensivën ruse. Rrezikoi kokën e tij, por nuk shkatërroi edhe atë pak që kishte mbetur nga Gjermania. Ndërsa në rastin tonë kemi rrafshuar stadiumin kombëtar, shkollën “Kosova”, kopshtin “Shtatë Xhuxhat” dhe tani teatrin. Nuk na mbetet shumë si dëshmi se kemi ekzistuar para vitit ‘45.

Ndaj dy Artanët dhe Auroni mund t’i thonë një fjalë, mund t’i rikujtojnë sa e ndihmuan të diskretitonte Berishën dhe të vinte në pushtet. E kanë për detyrë ta bëjnë, pasi kanë mobilizuar opinionin edhe për një shatërvan allçie. Duhet t’i kërkojnë që të mos i vejë kazmën një ndërtese, ku ende janë hijet e yjeve të skenës shqiptare, e cila mesa duket do t’i duhen dekada të ketë aktorë të të njëjtit kalibër. Të paktën të mbetet tempulli i tyre./Dritare.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: