Nga: Mero BAZE

Publikimi i një korrespondence teknike të zyrës së Presidentit me Qeverinë, është një gjë e pazakontë. Presidenti Ilir Meta kishte bërë të pamundurën që të kuptohej se ai e kishte bërë këtë nga një hall i madh. Në çdo rrethanë tjetër, një president nuk do ta vinte kurrë emrin poshtë asaj letre. Mund ta vinte shefi i protokollit apo ndonjë burokrat, por kurrë një president.

Një president, kur komunikon publikisht (dhe kjo është një nga të drejtat më të ligjëruara të tij në Kushtetutë), flet për popullin dhe shpjegon thjesht disa parime që e kanë shtyrë të bëjë një akt, dhe nuk tregon shkresa. Shkresa tregojnë gazetarët, ose burokratët.

Por megjithatë, më e vështirë është të kuptosh shkresën, se sa të kuptosh se çfarë do Ilir Meta.

Perceptimi i parë pasi përfundon leximin e letrës, është se Ilir Meta po përpiqet të bllokojë politikisht dhe jo teknikisht, siç pretendon, negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë për paktin detar. Është përpjekur të justifikohet për këtë me xhepa ligjorë dhe interpretime kushtetuese, por kjo ka pak rëndësi. I vetmi shpjegim bindës, i qartë dhe i lexueshëm, është ai politik.

Të gjithë ata që nxitojnë të thonë se Ilir Meta po bllokon negociatat për të rënduar pozitat e Edi Ramës, nxitohen, edhe pse Meta do të donte ta bënte këtë. Sfida e vërtetë e Edi Ramës, dhe pesha e kryqit mbi të, janë negociatat, dhe jo bllokimi i negociatave.

Por bllokimi i negociatave dhe mos arritja e një pakti të ri detar me Greqinë, është interes madhor i Sali Berishës. Tërbimi që ka kapur atë nga zhbllokimi i raporteve me Greqinë dhe tërheqja e grekëve nga marrëveshja me Berishën, dhe vullneti për të lidhur një marrëveshje të re, janë praktikisht ndëshkimi real historik i tij. Përtej “kasandrave” që përpiqen të helmojnë atmosferën, Berisha e ka llogarinë me historinë, dhe nëse një marrëveshje e re, i rikthen Shqipërisë qoftë dhe një metër katror më shumë se sa ajo që ka firmosur Berisha, është një mallkim për të dhe ata që e mbështetën atë marrëveshje.

Në fakt, kjo marrëveshje, sipas parimeve që po ndërtohet, do të kthejë shumë më tepër, por politikisht për Berishët, ka rëndësi dhe një metër katror më shumë.

Është kjo arsyeja që ka vënë në veprim presidentin Ilir Meta dhe është i vetmi shpjegim politik, se është një akt që synon të shpëtojë faqen e zezë të Sali Berishës.

Nuk është betejë kundër Edi Ramës, por përpjekje që Edi Rama të mos hyjë në këtë betejë. Edi Rama ende nuk ka hyrë në betejën finale për negociatat dhe nuk ka ende ndonjë ngarkesë për to. Për më tepër, ndërhyrja e Ilir Metës vetëm sa ja lehtëson punën, pasi ja vështirëson rrugën politikisht, një kundërshtar i besueshëm.

Problemi i parë është të mos ribëhen negociatat që të mos të bëhet ai krahasimi i tmerrshëm me marrëveshjen e Sali Berishës.

Por politikisht, ka dhe një arsye të dytë. Bllokimi i negociatave me Greqinë, ose së paku vonimi i tyre, duke dështuar vizitën e kryeministrit Cipras, dhe mos nënshkrimi i paktit para hapjes së negociatave me Brukselin, janë një shpresë që Greqia do të na bllokojë në Bruksel, dhe kështu presidenti duket dhe “patriot”, edhe kryetar opozite.

Por dhe kjo nuk është se dëmton Edi Ramën, por është një shërbim për opozitën.

I vetmi siklet në letrën e Ilir Metës, është se duke lehtësuar Edi Ramën nga beteja me Greqinë dhe duke i vënë gjoksin kësaj beteje, është në pozicion të vështirë me Greqinë, si politikani më i vlerësuar shqiptar në Athinë, dhe i vetmi politikan i lartë shqiptar, i dekoruar me “Kryqin e Artë” të Greqisë nga parlamenti grek. Gjithkush mund ta vëjë re përpjekjen e tij në fund të letrës, që Greqia të mos ja marrë për ters këtë që po bën, se “ashtu e ka një hall” këtu brenda. Është një qëndrim jopropocional, mes frikës që shfaq nga reaksioni i mundshëm i palës greke dhe arrogancës që shfaq ndaj qeverisë shqiptare.

Pra, e gjitha që po bën presidenti, është ajo që do bënte çdo opozitar që i dhimbset Sali Berisha nëse del keq nga kjo histori, dhe po ajo që do të bënte çdo opozitar po të kishte një gjë në dorë të bllokonte negociatat me Bashkimin Europian, duke tërbuar një vend anëtar të BE. Është thjesht qëndrim politik. Teknikisht i vetmi siklet real për Edi Ramën, do të ishte nëse i jepte plotfuqishmërinë për negociatat dhe t’i thoshte po humbe një pëllëmbë më tepër nga aq sa kemi pasur nga marrëveshja e Berishës, të shkarkoj, nëse na kthen një metër më shumë, të dekoroj. Kjo do ishte vërtet sfidë për Edi Ramën. Ai nuk po ja bën këtë. As ka ndërmend me sa duket, të vërë në pozitë të vështirë Edi Ramën në këtë histori. Përkundrazi, po ja lehtëson punët, pasi duket se ka një hall shumë më të madh. Të mbrojë “nderin e humbur” të Sali Berishës./Tema

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: