Një portier kamerunas vetëofrohet te Flamurtari. Bëhet fjalë për Maifanya Colins, i cili ka shfaqur dëshirën për të luajtur në kampionatin shqiptar dhe për të mbrojtur ngjyrat kuqezi. “Panorama Sport” zbulon se 26-vjeçari i ka dërguar një mesazh drejtorit të Flamurtarit, Vangjel Laluci, ku ka kërkuar që të bëhet pjesë e vlonjatëve.

Bashkë me mesazhin e dërguar, portieri i ka dërguar Lalucit edhe një CV të tij dhe videot nga paraqitjet në kampionatin e fundit. Gazeta zbulon mesazhin e portierit nga Kameruni.

“Përshëndetje. Unë quhem Maifanya Colins dhe luaj si portier. Jam 26 vjeç dhe luaj me Bamboutos, që është një klub i nivelit të parë në Kamerun. Pasi kam luajtur shtatë vjet në futbollin e nivelit të parë në Kamerun, unë do të doja që ju të më jepni një shans për t’ju treguar nivelin tim si futbollist. Do të doja që para së gjithash të prezantoja videot e mia dhe CV-në time. Faleminderit për marrjen e mesazhit tim, jam duke pritur për një përgjigje”, shkruan Colins.

Karriera

Në periudhën 2003-2006, Maifanya Colins ka luajtur me skuadrat e moshave në Kamerun. Vetëm në sezonin 2007- 2010 ai ka qenë pjesë e Mimboman. Në sezonin 2012-2013, Maifanya Colins ka mbrojtur ngjyrat e klubit Parxhere de Bangagte, ndërsa më pas portieri ka qenë pjesë e klubit De Loum. Pas kësaj karriere me ekipet e Kategorisë së Parë të Kamerunit, portieri Colins ka kontaktuar drejtuesit e klubit vlonjat për t’u transferuar në kampionatin shqiptar.

Përgjigjja
Por përgjigjja e klubit vlonjat ka qenë negative. Drejtuesit nuk kanë pranuar që portieri Colins të transferohet në Vlorë. Kanë qenë dy arsyet. Sipas burimeve në klub, e para që nuk pranohet është fakti se në këto momente stafi nuk kërkon të bëjë aventurë me portën dhe pikërisht për afrimin e një lojtari nga Kameruni që nuk ka njohjen e duhur për Superligën shqiptare.

Ndërsa arsyeja e dytë është se vlonjatët i kanë portierët. Titullar është Nurkoviç, ndërsa zëvendësuesit e tij janë Qirko dhe Sali. Portieri Nurkoviç, që është pjesë e Kosovës, është një pëlqim i trajnerit Duro./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: