Nga JULIAN ZYLA
Protesta e nesërme, e organizuar nga Partia Demokratike, ka një objektiv të shpallur: zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por, natyrisht, ka edhe një objektiv të shpresuar: zgjedhje të fituara. Objektivi i parë mund të arrihet, deri në një nivel të caktuar. Por, si mund të shërbejë protesta që Partia Demokratike t’i afrohet edhe objektivit të dytë?
Paraprakisht, duhen pranuar dy gjëra. E para, Lulzim Basha ka meritën që po ndërmerr këtë nismë politike. E dyta, organizimi kaq i kujdesshëm ishte dështimi i parë i këtij pro/testi. Asnjë revoltë nuk nis me disa javë paralajmërim. Mesazhi i parë politik ishte: “Jemi kaq të mërzitur saqë do dalim në shesh pas rreth dy javësh.”
Nesër, protesta do të mbahet. Madje, z. Basha ka paralajmëruar se PD-ja nuk do të ndalet me aq. Por çfarë do të shënojë kjo protestë? Nisjen e një serie protestash? Apo nisjen e fushatës? Nëse do të jetë fillimi i një serie protestash, ky do të ishte një lajm i mirë për kryeministrin. Pa incidente, protestat janë të destinuara të përfundojnë drejt një zbutjeje të natyrshme pjesëmarrjeje.
Nëse ato shndërrohen në të dhunshme, dhe jo nga policët dhe policet por nga pjesëmarrësit, kjo do të kishte kosto për vetë PD-në. Gjasat janë që policia, nga ana e saj, do të ketë instruksione të jetë paqësore deri në mërzi. Atëherë, çfarë potenciali politik ka kjo protestë? Si duhet ta trajtojë z. Basha për të kaluar pro/testin e tij?
Maksimumi që PD mund të arrijë është duke e trajtuar protestën si aktin e parë të fushatës 2017. Pra, entuziazmi i protestuesve nuk duhet përhapur në protestëza të tjera, por në organizim të detajuar të një fushate që mund të nisë si domosdoshmëri shoqërore.
T’u kërkosh njerëzve të angazhohen në protesta si ajo e nesërmja, është një hap që mund të japë shumë politikisht, por duhet qartësi lidhur me atë që ti do që ata të bëjnë. Kërkon thjesht që të marrin pjesë në protestë? Do ta rrëzonte qeverinë një protestë, apo një seri protestash? Kush do ta fitojë provën e rezistencës mes njerëzve në rrugë dhe qeverisë në zyra?
Apo do t’u kërkohet këtyre njerëzve të votojnë për PD-në në zgjedhjet e ardhshme? Natyrisht që po! Por dihet që ata do të votojnë për PD-në, përderisa arrijnë deri te pjesëmarrja në një tubim, me gjasa, në shi.
Apo do t’u kërkohet të shërbejnë si publik për një mesazh drejtuar gjithë Shqipërisë? Natyrisht që po! Këtu hyn sërish në lojë ndryshimi mes të bërit protestë dhe të bërit fushatë. Dhe, nuk ka mesazh politik më pak efikas, sesa një mesazh politik i paqartë, edhe pse ndërthurja është joshëse.
Zakonisht, kur pyet dikë se cili është publiku me të cilin synon të komunikojë, përgjigjja është: të gjithë. Kjo është një recetë shumë e mirë për të mos komunikuar me askënd.
Nëse Basha gjatë testit të tij të nesërm do t’u drejtohet të gjithë shqiptarëve, duhet të ketë parasysh që shqiptarët, edhe ata të pavendosurit, kanë të tjera përshtypje, preferenca dhe objektiva nga baza e PD-së që është në shesh.
Duhet të mos harrojë që jo të gjithë janë aq të mërzitur nga qeverisja sa ai dhe njerëzit në tubim. Jo të gjithë ndjejnë se duan të bërtasin “Rama ik” me sa kanë në kokë. A do të flasë z. Basha me gjuhën e njerëzve të zakonshëm, të sfidave të jetës së tyre të përditshme, apo me gjuhën e demokratëve, që duan me çdo kusht largimin e qeverisë? Komunikimi i parë do të sillte fushatë. I dyti, protestë.
Ndryshimi mes protestave dhe aktiviteteve parazgjedhore është i madh. Protestat kanë zakonisht vetëm një objektiv, që është edhe arsyeja që mbledh njerëzit. Prandaj, ato janë më efektive kur janë spontane e të udhëhequra jo nga subjekte politike por nga zemërimi real i njerëzve. A janë vërtet njerëzit kaq të mërzitur me qeverinë? Apo, a janë kaq të shqetësuar për të pasur “zgjedhje të lira e të ndershme” sa për të dalë në shesh?
Megjithatë, PD-ja është përmirësuar ndjeshëm në një element jo pak të rëndësishëm në krahasim me pak muaj më parë: slogani! “Ngrihemi bashkë” i përshtatet protestës dhe asaj që PD-ja e sheh si nevojë për t’u ngritur nga ku kemi rënë. Është një ndërthurje e arritur midis formës së zgjedhur të aktit politik të nesërm, protestës, dhe asaj që i duhet në vazhdim, fushata.
Këto janë nuancat delikate nëpër të cilat PD-ja duhet të kalojë për të frymëzuar. Protestë dhe propozime konkrete. Zemërim dhe pozitivitet. Tubime spontane dhe fushatë e organizuar.
Ndërkohë, qeveria po shpërndan bujari me qytetarë e fermerë, taksapagues e mospagues. Beteja është interesante që tani. Ndaj, për z. Basha pro/testi nuk është i thjeshtë. Megjithatë, ai duhet t’i luajë kartat me kujdes, që shqiptarët të kenë alternativa në qershor.

(GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: