Nga Vasil Kureta

Njëqind vjet më parë u zhvillua ngjarja më e rëndësishme historike, që njihet si Revolucioni Bolshevik. Në përballjen filozofike, politike e sociale mes bolshevikëve dhe menshevikëve rreth zhvillimeve në Rusi, u dëshmua se vizionin më ndryshues, më bindës, më të qartë, më bashkues dhe më afër kërkesës historike të zhvillimeve në Rusi e kishin bolshevikët, me platformën e tyre të ngritur mbi konceptin e Marksit, për një shoqëri të re, të drejtë, të lirë, pa shfrytëzim të njeriut nga njeriu. Edhe pse Marksi mendonte se ky model mund të fillonte në vendet më të zhvilluara ekonomike e sociale, Lenini dhe bolshevikët nxituan ta aplikonin në një Rusi të prapambetur dhe me elementë thelbësorë të modelit feudal të zhvillimit, që ishte në fillimet e marrëdhënieve kapitaliste në prodhim. Revolucioni Bolshevik realisht hapi rrugën e një ndryshimi thelbësor, fillimin e një modeli të ri të zhvillimit, një epokë të re në zhvillimet botërore.

Fitorja e tij mundësoi krijimin e një modeli të ri të zhvillimeve ekonomike, politike e sociale, një modeli tjetër zhvillimi në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Pas kësaj fitoreje e ndryshimi cilësor historik, u shtrua një mundësi e re dhe një përballje frontale mes dy mënyrave të kundërta të zhvillimit e organizimit ekonomik, politik e social dmth., midis atij perëndimor ose ndryshe kapitalist dhe atij socialist, të frymëzuar nga vizioni i Marksit dhe i interpretuar e zbatuar nga Lenini e më pas nga Stalini. Me këtë ngjarje bota kishte ndryshuar e do të kishte në thelb dy botë të kundërta mes tyre, që do të ishin në provë të vërtetë, në garë për të fituar e mundur njëri-tjetrin, në përballje gjithnjë e më të fortë, më të gjithanshme e më armiqësore mes tyre. Kjo përballje realisht ndikoi në evolucionin e shoqërisë njerëzore, në konkretizimin e ndryshimeve të vërteta ekonomike e sociale, në formësimin e dy modeleve të kundërta të zhvillimit, të atij kapitalist, që ishte i konsoliduar dhe atij socialist, që pretendonte ta kapërcente në standardet e nivelet e zhvillimit ekonomik e social e sidomos që pretendonte, se i kishte rrëmbyer tashmë modelit kapitalist flamurin e mbrojtjes së lirive e të drejtave të njeriut. Kjo ambicie u zhvillua më tej, pas goditjes së rëndë që modeli kapitalist pësoi me krizën e rëndë të viteve ‘30 të shekullit të kaluar, me lindjen brenda modelit kapitalist të dy monstrave të nazizmit e fashizmit dhe sidomos pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe krijimit të kampit socialist. Revolucioni i tetorit më 1917 ishte produkt i pjesëmarrjes së gjerë të burrave e grave, të të rinjve, punëtorëve e fshatarëve e popullit rus, që aspironin lirinë e zhvillimin, një mënyrë tjetër më të mirë jetese, lirinë e vërtetë dhe zhvillimin e gjithanshëm. Është fakt se ata përbënin shumicën e bashkuar që kërkonte ndryshimin cilësor e zhvillimin e vërtetë, por që i kishin besuar kështu vizionit komunist marksist. Edhe pse mund të mos dinin e kuptonin shumë nga vizioni i Marksit dhe ai që u përcolli Lenini me bolshevikët, ata kërkonin një model tjetër zhvillimi, me liri, demokraci, dinjitet njerëzor dmth., me referim të sistemi i vlerave të larta njerëzore.

Frymëzimi nga këto vlera dhe nevoja për ndryshim thelbësor u bë shkaku esencial i bashkimit dhe pjesëmarrjes së gjerë sociale, që solli ngjarjen e rëndësishme historike, faktin e ndryshimit të madh në zhvillimet botërore. Pas fitores së revolucionit socialist të tetorit, do të kishte dy botë, dy modele zhvillimi, dy filozofi e botëkuptime të kundërta e në luftë të ashpër mes tyre. Bolshevikët u bënë të besueshëm, sepse inspironin ndryshimin e gjendjes dhe ofronin një perspektivë të re zhvillimi, ndryshe nga ai ekzistuesi. Vlerë e revolucionit të tetorit u bë ndryshimi, që tashmë ishte shndërruar në një stimul e nevojë jo vetëm për Rusinë, por edhe përtej saj. Pas fitores në luftën e madhe patriotike, që mposhti përfundimisht hordhinë naziste, Moska u bë realisht qendra e komunizmit botëror dhe modeli rus u aplikua në vende të tjera, që u bënë pjesë e kampit socialist. Edhe modeli perëndimor në përballjen me modelin e ri, gjeti një stimul konkret vetëpërsosjeje e ndryshimi, që dëshmoi shumë herë më efektivitet e epërsi ndaj atij socialist dhe që e mundi më pas atë.

Nëse e vështron me realizëm historinë që nga fitorja e Revolucionit Bolshevik, deri te rrëzimi i komunizmit në fund të viteve ‘80, atëherë do të konstatosh se brenda modelit socialist, në hapësirën e kampit socialist, ka shumë elementë pozitivë e negativë, arritje e dështime, avancime dhe gabime, zhvillime dhe regres, ndryshime dhe krime, më shumë prirje nga centralizimi i vendimmarrjes dhe përqendrim autoritarist të pushtetit, luftë të ashpër klasash, më shumë dhunë sidomos edhe ndaj fjalës së lirë, duke e diskretituar realisht flamurin e lirive e të drejtave të njeriut, që pretendonte se ia kishte rrëmbyer modelit kapitalist. Këto dukuri u shfaqën me veçori konkrete në secilin vend socialist, deri sa modeli u kolapsua, dështoi dhe solli shpërbërjen e BRSS dhe vetë kampit socialist, pa ndonjë ndërhyrje ushtarake nga jashtë. Pra, kishte një përballje e luftë totale mes dy modeleve për ta mundur njëri-tjetrin e jo thjesht një garë. Modeli perëndimor arriti të sigurojë rendimentin më të lartë në punë në këtë përballje modelesh, një zhvillim ekonomik me standarde të larta e vëllim tepër më të lartë, një nivel mirëqenieje për qytetarët shumë herë më të lartë, edhe pse në praninë e dallimeve tepër të ndjeshme mes shtresave sociale, mundësi të gjëra të iniciativës së lirë, funksionim të demokracisë e sundim të ligjit, hapësirë të gjerë për liritë e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e tyre. Modeli perëndimor u përsos duke qëndruar fort në sistemin e vlerave, që dhe vulosi fundin e pashmangshëm të modelit socialist. Edhe pse sot ky model fitues po has mjaft vështirësi e probleme, jo të thjeshta e të vogla, përsëri përfaqëson modelin më të lartë që ka sot njerëzimi në evolucionin e tij.

Gjithë kjo histori është parë e vlerësuar edhe aktualisht edhe me realizëm e vërtetësi objektive, por edhe me subjektivizëm, nihilizëm, zbukurime e fshehjes së të vërtetave e pse jo me nostalgji konkrete. Natyrisht, që liria e mendimit është e drejtë e pamohueshme dhe këndvështrimet janë të ndryshme, por të gjitha këto pozicione janë përballë të vërtetës së fakteve e ngjarjes historike. Faktet dhe e vërteta historike të mundësojnë të gjykosh drejt. Njëanshmëria nuk është metodë efektive gjykimi edhe për këtë përvojë historike, që kishte kurbën e vet të ecurisë së ndryshimit dhe jo vetëm dështimin e fundin e vet. Është fakt që modeli socialist, në mënyrën se si u konceptua e realizua, pati rezultatet e tij të pamohueshme, sidomos në fazën e parë të shtratimit të tij, por që më pas u kolapsua, e mbylli kapitullin e vet, duke lënë pas një diskutim, që do të kishte e dhe fokusim te dështimi e gabimet e krimet, por edhe analizat realiste, që shohin edhe arritjet e zhvillimet, por dhe dështimet e përgjegjësitë, përfshi edhe nostalgjitë konkrete.

Ky përvjetor i njëqindtë i Revolucionit të tetorit ka mundësuar reflektime nga këndvështrime të ndryshme, që nga mendimi se komunizmi ishte një utopi e eksperiment i dështuar, një çështje e mbyllur tashmë, që i takon historisë, por edhe për shqyrtime realiste dhe objektive. Për disa Revolucioni i tetorit përkujtohet më shumë sot nga pozicione e për interesa nacionaliste dhe në funksion të një modeli autoritarist qeverisjeje. Për disa, historia ka parë njëqind vjet më parë një Revolucion Bolshevik, si një formë e shfaqjes së determinizmit komunist dhe në fund të këtij shekulli, një histori me një ironi tragjike. Ka gjithashtu edhe një diskutim në rrafshin teorik brenda simpatizantëve të mendimit marksist, sipas të cilëve, dështimi i modelit socialist ishte rrjedhojë edhe i shmangies nga idetë kryesore dhe filozofia apo kuptimi i Marksit për çështje thelbësore të shoqërisë komuniste në të dyja fazat e saj, që nga çështja se ndryshimi e revolucionet do të ndodhnin në vendet më të zhvilluara kapitaliste, por dhe për çështjen e tjetërsimit apo të kalimit nga pushteti i sendeve mbi njerëzit te pushteti i njerëzve mbi sendet, mbi rolin e shtetit në zhvillimet ekonomike e sociale dhe kuptimin e tij për shuarjen e shtetit etj.

Fakt i pamohueshëm është se Revolucioni Bolshevik solli një ndryshim thelbësor në evolucionin e marrëdhënieve ndërkombëtare, që u thellua më tej me krijimin e kampit socialist, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ai i hapi rrugën një modeli tjetër ekonomik, politik e social, i kundërt me atë kapitalist që kishte filluar jetën e vet me fitoret e revolucioneve borgjeze. Edhe rrëzimi i komunizmit, shpërbërja e BS dhe e kampit socialist, hapi rrugën për një model të ri të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare, që është në proces kompletimi. Federata e Rusisë tashmë nuk pretendon se zhvillon modelin komunist, por që synon një rol superfuqie botërore në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo ka një model ku gjen edhe ekonominë e tregut, edhe demokracinë elektorale, edhe centralizmin e lartë në qeverisje, ku opozita politike ka vështirësi të mëdha të realizojë misionin e saj dhe përfaqëson një vend të madh, me potenciale të mëdha zhvillimi, me histori, kulturë e kontribut të pasur në zhvillimet botërore. Për disa, Rusia sot përfaqëson një superfuqi të re me interesa konkrete imperiale, që do të ndikojë ndjeshëm në zhvillimet botërore. /gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb