Teuta 7.5 – Fitorja ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi” nuk është aspak e lehtë, megjithatë Teuta e drejtuar nga Magani ia arriti, duke siguruar një trepikësh me shumë vlera. Pas javës së dytë të kampionatit, durrsakët kryesojnë të vetëm Kategorinë Superiore me pikë të plota dhe dy pikë diferencë nga vendi i dytë.

Luftëtari 7 – Pas atij starti jo shumë të mirë, bluzinjtë arritën fitoren e parë sezonale, duke mposhtur Laçin në transfertë. Me një lojë të kujdesshme, bluzinjtë konfirmuan se, ashtu si një vit më parë, do të jenë skuadra për t’u mundur në këtë sezon futbollistik.

Kamza 6.5 – Investimet e shumta të bëra gjatë merkatos duket se po shpërblehen te skuadra e Kamzës, e cila ka arritur të ndalë Skënderbeun në shtëpi. Ekipi i Ndreut, edhe pse u gjet në disavantazh, nuk u dorëzua përballë korçarëve duke besuar te barazimi dhe siguruar atë.

Flamurtari 6.5 –
Të fitosh ndaj Lushnjës, me nivelin që myzeqarët po tregojnë, nuk është shumë e vështirë, megjithatë në një stadium asnjanës gjërat edhe mund të ndërlikohen. Por, edhe pse në disavantazh të një goli dhe me një futbollist më pak për 75 minuta, të besuarit e Duros arrin të kthenin gjithçka në favor të tyre duke shënuar tre gola.

Kukësi 6 – Kampionët në fuqi morën një pikë me vlera në transfertë ndaj Partizanit. Edhe pse kishin disa raste të pastra për të shënuar, trajneri Milinkoviç kishte rreshtuar skuadrën e tij për të mos pësuar gol, çka tregoi se në një sfidë të tillë edhe barazimi është i pranueshëm.

Skënderbeu 5 – Të impenjuar në fazën e grupeve të Europa League, korçarët po humbasin terren në kampionat. Barazimi ndaj Kamzës, ekip që ka ardhur nga Kategoria e Parë, tregon se korçarët e kanë kaluar disi në plan të dytë kampionatin vendas.

Partizani 5 – Të kuqtë vazhdojnë të mos e njohin fitoren në dy javët e para të kampionatit. Barazimi me Kukësin nuk mund të kthehet në dramë, por trepikëshi po kthehet në një “mollë të ndaluar” për të kuqtë, që pretendojnë titullin, por pas dy javëve të para kanë vetëm një pikë në tabelën e klasifikimit.

Vllaznia 4 – Kuqeblutë u “dorëzuan” në stadiumin e tyre përballë tifozëve të shumtë, duke humbur në ndeshjen ndaj Teutës. Skuadra e Cungut edhe në këtë sezon futbollistik, vazhdon të ndiejë mungesën e një sulmuesi goli.

Laçi 4 – Fitorja në start me Partizanin, duket se i ka vetëkënaqur lojtarët e Laçit, që në takimin ndaj Luftëtarit në stadiumin e tyre pësuan disfatën e parë në këtë sezon futbollistik. Pritej që minimalisht kurbinasit të merrnin një barazim.

Lushnja 3 – Edhe pse janë në Superiore, myzeqarët ende nuk janë mësuar me ritmin e saj. Skuadra e Banos nuk ka mundur dot të ruajë avantazhin e krijuar përballë një rivali si ekipi vlonjat që luante me një lojtar më pak./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: