TIRANE – Këngëtarja e njohur e muzikës popullore, Merita Halili, është rikthyer në Tiranë për të qenë pjesë e 60-vjetorit të krijimit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. E ardhur enkas nga Amerika, Merita e pranoi me shumë kënaqësi ftesën që iu bë në këtë përvjetor të Ansamblit, sepse për të është skena ku mori duartrokitetjet e para të publikut.

E ftuar këtë pasdite në “Rudina”, Merita ka rrëfyer për projektin që e ka sjellë në Tiranë, për mallin që ka për publikun e saj, si dhe pë planet e afërta që ka në fushën e muzikës shkruan Class.
Por nuk u shpëtoi as pyetjeve më private për familjen e saj të madhe. E njohur si bilbili i Shqipërisë së Mesme, Merita ka bërë të pamundurën që emrin e vet dhe të familjes tradicionale tiranase ta nderojë kudo që ka shkuar.

E lindur nga dy prindër artdashës, Merita tregon se ka pasur gjithmonë mbështetjen e tyre për çdo gjë që ka bërë në jetë, për çdo zgjedhje. Por ajo me të cilën ne krenohemi sot nuk do të ishte, nëse do t’i mungonte dëshira të atit. Për herë të parë në “Rudina”, Merita tha se ajo është motra e vetme pas 5 vëllezërve. I ati, ndryshe nga meshkujt shqiptarë që njohim në të gjitha kohët, ëndërronte të kishte një vajzë: “Unë për këtë nuk kam folur ndonjëherë, sepse nuk më është bërë kjo pyetje.

Babai im ka dashur gjithmonë të ketë një vajzë, ndryshe nga meshkujt shqiptarë. Pas 5 djemve, erdha unë në jetë dhe ai u gëzua shumë, sepse kishte shumë dëshirë të kishte vajzë”, – tregon Merita.
Kur i ati u nda nga jeta, para 24-vjetësh, Merita ishte në Shqipëri dhe kishte nisur rrugën e këngës. Për të atin, si për të gjithë familjen dhe mandej edhe për të gjithë shqiptarët, këngëtarja e madhe e skenës shqiptare u kthye në ikonën e këngës popullore të Shqipërisë së Mesme.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: