NGA: JETON SELIMI
Gugash Magani nuk do të jetë më trajneri i Flamurtarit të Vlorës. Trajneri peqinas është dorëhequr sot zyrtarisht nga posti i tij. Magani, aventura e të cilit me vlonjatët nuk nisi ashtu siç duhet, vendosi të largohej që pas humbjes së thellë 4-0 me Partizanin, ndërsa nuk e drejtoi ekipin as në sfidën e kësaj fundjave në Laç, teksa në stol ishte zëvendësi i tij, Gentian Mezini.

Në fillim u mendua se mes tij dhe presidentit Idrizi gjithçka ishte sqaruar dhe se trajneri do të merrte sërish detyrën e tij me kuqezinjtë, por sot Magani ka vendosur që të shkëpusë marrëdhëniet me klubin vlonjat, me të cilin ai ishte në aventurën e dytë në karrierë. Magani kishte pritshmëri shumë të larta me Flamurtarin, por problematika e sezoneve të fundit, u shoqërua dhe këtë vit,

teksa mungesa e financave kanë sjellë mosangazhimin e lojtarëve në fushën e lojës, gjë që trajneri nuk ka mundur dot ta kapërdijë. Magani bëhet kështu trajneri i pestë i larguar nga detyra në këtë edicion, ndërsa para tij ishin shkarkuar italianët Bexhi dhe Cevoli nga Teuta, braziliani Troisi nga Laçi dhe italiani Sormani nga Partizani.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: