Moderatori i këtij viti i çmimeve Oscars në teatrin Dolby, Jimmy Kimmel, nuk la pa ngacmuar Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Ai tha me ironi disa fjalë të Trump, dhe madje e provokoi atë me dy postime në Twitter.

Kimmel e ngacmoi Trump në monologun hapës të Çmimeve të Akademisë e cila shihej nga më shumë se 225 vende të botës.

“Dua t’i them faleminderit Presidentit Trump…ju kujtohet vitin e kaluar kur ceremonia e Oscars ishte raciste?” tha Kimmel me ironi. “Tani nuk është më, falë tij”.

Më pas Jimmy nuk ngurroi t’i shkruante në Twitter: “Ej Donald, je zgjuar?” dhe “Meryl të përshëndet Donald”, pas akuzave që Presidenti i bëri aktores Meryl Streep duke thënë se ishte e mbivlerësuar.

Duke vazhduar ironinë e tij, Kimmel tha: “Tani dua një duartrokitje të vakët për aktoren më të mbivlerësuar të historisë”, dhe mes të qeshurave e gjithë salla u ngrit në këmbë duke duartrokitur fort aktoren që ka 20 nominime për Oscar në karrierën e saj.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: