TIRANE– Nxënësit e shkollës “Hasan Tahsin” e nisën vitin e ri shkollor në një godinë krejtësisht të re. Bashkia e Tiranës mbajti premtimin duke përfunduar në kohë rekord rikonstruksionin e plotë të shkollës, duke ofruar për 1 mijë nxënës kushte më të mira të mësimdhënies.

Ambientet e rindërtuara të shkollës u përuruan sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetja e PS, Lindita Nikolla, të cilët pasi u njohën nga afër me kushtet e saj, i uruan nxënësve suksese në vitin e ri shkollor. Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se sot në të gjithë Tiranën janë hapur 191 shkolla me ambiente të rregulluara.

“Dua t’ju uroj të gjithëve nga zemra gëzuar vitin e ri shkollor! Jam shumë i lumtur që në të gjithë Tiranën sot janë hapur 191 shkolla, njëra më e mirë se tjetra. Në shkollat ekzistuese kemi bërë shumë punë, shumë riparime, ndërkohë që jam shumë i lumtur që bashkë me mikeshën time, kolegen time, motrën time, Lindita Nikolla, ne do hapim 4 shkolla të reja këtë vit”, tha Veliaj.

Me investimin e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e shkollës “Hasan Tahsin”, zgjidhet përfundimisht edhe çështja e mësimit me dy turne, duke përmirësuar ndjeshëm mësimdhënien edhe në shkollat e tjera të zonës të cilat kishin mbingarkesë.

“Kemi lajm të mirë edhe për “Fan Nolin”. E mbaj mend që ditët e para patëm peticione nga prindërit, patëm revolta, por unë e them gjithmonë, sa herë që ndodhin gjëra të bukura, në fillim ka reagime. Ama, kur takova sot disa nga prindërit e “Fan Nolit” më thanë: “Ku paskemi qenë”. Këmbëngulja për të bërë mësim me dy turne tek “Fan Noli” është e kotë, ndërkohë që fëmijët e tyre sot kanë kaluar vetëm nga ana tjetër e Pazarit të Ri, për të bërë mësim me një turn, duke qenë se shkolla e re është 3 herë më e madhe se “Hasan Tahsini” që kishim”, tha Veliaj .

Kreu i Bashkisë siguroi se përveç katër shkollave të reja që do të hapen këtë vit, do të nisë menjëherë puna për ndërtimin e 16 shkollave të tjera me standarde të larta.

“Do ta rikuperojmë edhe kohën e humbur për të ecur më shpejt, që përtej këtyre 4 shkollave të reja që hapim sot, “Hasan Tahsin”, “Betim Muço”, që do ta hapim shumë shpejt në Kombinat, shkollën “Ardian Klosi” tek Bregu i Lumit dhe Shkolla e re e Baletit, të fillojmë edhe 16 shkollat e tjera për t’u siguruar që përfundimisht e mbyllim çështjen e arsimit me dy turne në qytetin e Tiranës”, tha Veliaj.

Me nisjen e vitit të ri shkollor, Veliaj theksoi se do të rikthehet edhe rregulli i qarkullimit për automjetet që bëjnë furnizimin e njësive tregtare në kryeqytet, duke i dhënë përparësi lëvizshmërisë së nxënësve. Ai deklaroi se hapja e Unazës së Madhe ka dhënë rezultatet e para pozitive duke lehtësuar ndjeshëm trafikun.

“Do bëjmë gjithçka që kemi në dorë për infrastrukturën. Para pak ditësh u hap Unaza e Re, e cila ka ndihmuar shumë trafikun në atë zonë të Tiranës. Sot kemi pasur Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake që ka ndihmuar në çdo kryqëzim, për të treguar pak mirëkuptim në një qytet që është i tejngarkuar dhe që ka shumë trafik. Edhe pse qyteti është i tejngarkuar, në mënyrë demokratike, duke respektuar njëri-tjetrin, edhe trafikun, i japim prioritet secilit grup që duhet të jetë në orar në vendin e caktuar, por sidomos engjëjve të Tiranës që meritojnë të jenë në orën 08:00 për të marrë 10-ta e për ta bërë Tiranën akoma më të mirë seç e kemi sot”, u shpreh ai.

Deputetja e PS, Lindita Nikolla përgëzoi kryebashkiakun Veliaj për punën për transformimin e Tiranës dhe të përmirësimit të infrastrukturës arsimore.

“Sot jam deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe nuk na duhen ofiqe për t’i thënë një falenderim të madh Erion Veliajt dhe stafit të tij. Ju lumtë dora dhe mendja për gjithçka që po bëni për Tiranën dhe posaçërisht për arsimin. Më lejoni t’ju falenderoj nga rasti për t’ju thënë një vit të mbarë plot suksese dhe rrugëtim me standarde të reja të cilësisë për të gjithë fëmijët që sot nisin shkollën. Si mundet që forca e njeriut të bëjë çudira, jo vetëm duke e zmadhuar, por duke mundësuar kantinën për ushqimin, sallën e aktiviteteve të përbashkëta me prindër, duke mundësuar palestra, por dhe këtë terren sportiv”, theksoi Nikolla.

Shkolla e re “Hasan Tahsin” ka 22 klasa mësimi, 2 klasa parashkollore, 6 laboratorë, palestër moderne si dhe një terren sportiv të jashtëm. Godina është e pajisur me sistemin e ngrohjes qëndrore me pelet.

Ndërkohë, me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor, Bashkia e Tiranës shpërndau ndihma për nxënësit që vijnë nga familje me probleme social-ekonomike, me qëllim mbështetjen dhe nxitjen e tyre që të përfshihen në procesin e edukimit dhe në mbrojtjen e të drejtave për arsimim.

Kryebashkiaku Veliaj ishte i pranishëm në shkollën 9-vjeçare “Pal Engjëlli”, ku u shpërndau 150 nxënësve të moshës 6-14 vjeç, çanta të shkollës dhe mjete didaktike. Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se krahas përmirësimit të kushteve të studimit në shkollat e kryeqytetit, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe mbështetjes së nxënësve me rezultate të larta përmes shpërndarjes së 3 mijë bursave.

Gjithashtu, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me organizata të ndryshme shpërndau çanta dhe pajisje mësimore edhe për fëmijët në situatë rruge pranë Qendrës Sociale të Njësisë Nr.9 në kryeqytet. Në përputhje me prioritetet e Bashkisë së Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme Shërbimeve Sociale, është angazhuar për të mbështetur me projekte social-arsimore integruese grupe të fëmijëve për të ndaluar braktisjen e shkollës si dhe për t`ju krijuar ambiente sa më miqësore, me qëllim integrimin e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: