Më shumë se një vit nga koha kur është ngritur aktakuza dhe rreth 3 muaj pasi ishte paraqitur për herë të parë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, gjykimit të ish- imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqit, po i vjen fundi. E premtja e 23 marsit do të shënojë fundin e gjykimit në të cilin ish-imami po përballet me tri akuza; nxitje për terrorizëm, nxitje të urrejtjes dhe shmangie nga tatimi.

Në aktakuzë pretendohet se shtytjen në kryerjen e veprave terroriste Krasniqi e ka kryer nga viti 2013 deri në 2014, ndërsa veprën penale të shmangies nga tatimit e ka kryer nga viti 2011 deri më 2016.
Sipas prokurorisë, Shefqet Krasniqi, në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, shkruan tg. Përmes paraqitjeve të tij të drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë të tjerët ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste.

Po ashtu, sipas organit të akuzës, Krasniqi, tatimpagues dhe pronar i biznesit N.T “Portat”, ka fshehur dhe shmangur tatimin, me dashje ka dhënë të dhëna të pasakta, si dhe nuk i deklaruar të dhënat tjera relevante lidhur me obligimet tatimore, duke iu shmangur detyrimeve tatimore në vlerë të përgjithshme prej 20,208.57 euro. Të gjitha këto pretendime të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës janë mohuar nga Krasniqi, i cili ka deklaruar se është i pafajshëm.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: