Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha, e ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24, foli për vizitën e Komisionerit Johannes Hahn në Shqipëri si dhe për problematikat e integrimit të vendit në BE.

Ish-ministrja e Integrimit, tha se komisioneri Hahn erdhi në Tiranë për të vënë pikat mbi “i” dhe se duhet të shohin më mirë çështjet e brendshme të vendit se sa vetëm stabilitetin në rajon, shkruan BalkanWeb.

“Ka një problem. Hahn ka rikthyer vëmendjen tek detyrat e shtëpisë së Shqipërisë për këtë proces. Ka pasur një mungesë të madhe të komisionit europian në vendin tonë së fundmi. Sot, komisioni europian diskutojnë më shumë për stabilitetin e rajonit se sa për procesin e integrimit. Për vende si Shqipëria, stabilitet për ne është një qeverisje, funksionimi i institucioneve, vota e lirë, që edhe kjo ka munguar, 25 qershori e tregoi. Çështjet korruptive dhe të drogës të hyra në sistemin tonë, ky është stabilitet për ne, funksionimi i shtetit. Jo përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët. Komisioni Europian duhet ta kuptojë më mirë kulturën shqiptare,” tha Gjosha.

Deputetja e LSI tha se një lajm të mirë në lidhje me integrimin e Shqipërisë në BE do ta marrim atëherë kur të kuptojmë se lidhjet e politikës me krimin duhet të marrin fund.

“Aq sa të kuptojmë se krimi dhe lidhjet e politikës me krimin duhet të marrin fund. Lidhjet e krimit me politikën kanë dalë sot në pah. Qytetarët duhet të kthjenë besimin te qeveria. Duhet të marrë fund korrupsioni. Komisioni Europian nuk po e sheh mirë këtë sot. Tani, o vendi do të ndahet përfundimisht nga krimi, ose KE duhet të marrë masat më pas,” u shpreh ajo.

Intervista e plote

Znj. Gjosha, Komisioneri Hahn ka deklaruar sot se nga Shqipëria priten prova konkrete dhe jo fjalë në rrugën drejt BE-së. Si e gjykoni këtë deklaratë?

Është një deklaratë e fortë. Unë mendoj se e ka vendosur para një përgjegjësie shumë të madhe Kryeministrin e vendit por edhe institucionet shqiptare për të lëvizur por edhe për të vendosur drejtësi në këtë vend. Për të bërë të mundur që shteti i së drejtës të fillojë të funksionojë sa më parë. Komisioni Evropian funksionon me laps dhe me letër. Për këdo që ka punuar qoftë edhe një ditë për procesin e integrimit e kupton që nuk flitet në ajër. Flitet për kushte konkrete, për kritere konkrete të vendosura ndaj Shqipërisë dhe në asnjë moment nuk ka asnjë lloj tolerance, sidomos kur bëhet fjalë për çështjet e korrupsionit, të krimit të organizuar, të kultivimit dhe të trafikimit të drogës etj. Këto janë çështje madhore tashmë për Shqipërinë dhe po ta shohim sado tolerant deri diku të tregohet Komisioni Evropian, apo mirëkuptues, ka një problematikë të madhe që janë vendet anëtare. Ata të cilat rrezikojnë të vendosin një veto nëse do të kenë edhe dyshimin më të vogël që Shqipëria nuk ka pasur progres në prioritetet kyçe. Kjo gjë duhet parë me kujdes. Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme e pret një punë e jashtëzakonshme, jo vetëm për plotësimin e kritereve por edhe për imazhin e Shqipërisë te të gjitha vendet anëtare, të cilat kanë një rëndësi të jashtëzakonshme kur të vendosin për negociatat për Shqipërinë. Situata në vend nuk e ndihmon çeljen e negociatave. Jo vetëm situata këtu por edhe marrëdhëniet me fqinjët, të krijuara së fundmi, sidomos problematikat që ne kemi pasur me Greqinë. Unë gjithmonë kam deklaruar që Shqipëria është një vend shumë i vogël për të krijuar polemika dhe konflikte të mëdha me vendet fqinje. Ndaj, ministri i Jashtëm duhet të tregohet shumë i kujdesshëm në të gjitha deklaratat. Çështjet janë teknike dhe duan zgjidhje.

 

Sa real është procesi i anëtarësimit. Kur shikon situatën reale që ka vendi por edhe vite të tilla si 2050 duket si i pamundur apo jo?

Procesi është shumë konkret dhe shumë i prekshëm. Kur ne shohim reformat e njëpasnjëshme që kanë qenë një detyrim që kanë ardhur ndaj nesh. Por ka një problem. Unë jam e lumtur që sot Komisioni Hahn ka ardhur në Shqipëri dhe ka rikthyer vëmendjen te procesi i zgjerimit dhe te kriteret dhe te detyrat e shtëpisë që Shqipëria ka për të plotësuar për vazhdimësinë e këtij proces. Së fundmi ka pasur një mungesë shumë të madhe të prezencës së Komisionit Evropian në vendin tonë. Takimet që ne kemi parë kanë qenë për Procesin e Berlinit dhe ky proces në vetvete është një projekt stabiliteti. Pra, sot, Komisioni Evropian apo edhe vendet anëtare diskutojnë më shumë për stabilitetin e rajonit se sa për procesin e integrimit. Ajo çka BE kupton me fjalën stabilitet për vende si Shqipëria është mirëqeverisja, funksionimi i institucioneve, është shteti i së drejtës i cili ka munguar, është vota e lirë, që edhe kjo ka munguar dhe 25 qershori e ka vërtetuar tashmë këtë me të gjitha mënyrat. Jo vetëm me fjalët e opozitës por me të gjitha faktet që kanë dalë pas kësaj. Çështjet korruptive dhe të drogës dhe të parave që kanë hyra nga droga dhe krimi në sistemin tonë, ky është stabilitet për ne, funksionimi i shtetit. Nuk është vetëm pasja e një marrëdhënie të mirë me fqinjët apo mbyllja e syve pa një qeveri që ndoshta nuk funksion ashtu siç duhet.

 

Pra kemi dy pikëpamje të ndryshme për stabilitetin me Komisionit Evropian?

Unë them që po. Do duhet pak kujdes edhe nga Komisioni Evropian për të kuptuar realisht një mentalitet dhe kulturë shqiptare që nuk ka lindur sot, por vjen prej shumë vitesh tashmë dhe është shumë e vështirë të ndërtosh institucione në Shqipëri. Institucionet në Shqipëri mund të ndërtohen vetëm nga procesi i integrimit.

 

Ju e keni ndjekur me shumë pasion dhe emocion gjithë pjesë e integrimit, duke kaluar momente kyçe në krye të dikasteres së  integrimit për sa i takon marrjes së statusit të vendit kandidat për negociatat për Bashkimin Evropian. Znj. Gjosha ju thoni se është kthyer vëmendja tek kriteret dhe detyrat që duhet të ketë Shqipëria për të bërë. Nga ana tjetër, nuk e ndihmon situata aktuale në vend. Si mendoni do të jetë e gjatë koha që gjithë shqiptarët të marrin një lajm të mirë?

Unë besoj se koha do të jetë aq e gjatë sa ne të kuptojmë që duhet të marrë fund krimi në këtë vend dhe lidhjet e politikës me krimit sepse kjo është pjesa më e frikshme që kemi sot. Krimi i organizuar kuptohet që ka qenë pjesë e shoqërisë sonë për një kohë të gjatë, nuk ka lindur sot por rilidhjet e krimit me politikën, sot po dalin në pah. Kjo është diçka që duhet të marrë fund në mënyrë të menjëhershme. Është e vetmja mënyrë që qytetarët shqiptar të rikthejnë besimin tek qeveria, tek ata njerëz që i kanë votuar dhe që duan të shohin që qeveriset për ta. Kuptohet që duhet të marrë fund korrupsioni. Në këtë vend ka shumë çështje që duhen hapur, që duhen ndjekur dhe Prokuroria patjetër që ka shumë dosje që duhen çuar deri në fund derisa të ketë një rezultat. Kur flasim për vetingun nuk janë vetëm për rezultatet e para që duhet të dalin nga prokurorët dhe gjyqtarët, por janë çështjet e mëdha që ndodhen në tryezat e tyre, ajo çka perceptohet si sukseset e para që do duhet të ndërmarrë vendi ynë dhe të tregojë që realisht ne jemi kthyer në një vend demokratik dhe që i lejojmë institucionet e pavarura të funksionojnë të pavarura nga politika. Këtë fatkeqësisht Komisioni Evropian nuk po e shikon sot dhe unë jam e bindur që një nga arsyet e vizitës së komisionerit Hahn është pikërisht nga kjo situatë e krijuar në vend, për të vendosur disa piketa kyçe mbi qeverinë. Pra ose do të ndahet nga i gjithë ky sistem kriminal që sot është krijuar në vend ose do ndryshojë patjetër ku edhe Komisioni Evropian do marrë masat e saj sepse ata nuk mund të rrezikojnë kredibilitetin e tyre.

 

Sa i ndjeshëm është presioni që mund të bëjë Bashkimi Evropian mbi klasën politike shqiptarë për të arritur diçka?

Besoj që sot në Shqipëri nuk duhet të pritet në çdo moment presioni që duhet apo nuk duhet të vijë nga Bashkimi Evropian. Situata që është krijuar sot në vend, ecim apo nuk ecim ne në rrugën e integrimit është një çështje e rëndësishme, por besoj që shqiptarët do donte në radhë të parë të zgjidhte problemet për një Shqipëri normale. Nuk po themi për një Shqipëri të standardeve të jashtëzakonshme evropiane, por për një Shqipëri normale. Duhet të diskutohet për çështje që e kanë mbytur sot parlamentin  e Shqipërisë. Këtë duhet ta bëjmë ne vetë. Kjo është një lloj sensibilizmi për t’u bërë. Për klasën politike shqiptare gjithnjë ka pasur rëndësi se çfarë thonë ndërkombëtarët amerikan por edhe Bashkimi Evropian sepse me BE ne na lidhin shumë gjëra. Pra, është linja jonë e vetme  për të cilën ne punojmë për procesin e integrimit, për negociata por edhe deri në anëtarësim. Ata nuk do të thonë për aq kohë sa e kanë humbur besimin nga qeveria. Ata nuk flasin, janë shumë diskretë dhe vendosin kushte. Po të shohim, ka pasur dhe një konferencë për media për lirinë e medias, para takimit me Kryeministrin. Po të shohim, ka pasur një artikulim ekstra mbi atë që dëgjojmë gjithmonë, pra kemi dëgjuar që kusht është vetingu, sot kemi dëgjuar një kusht që është shumë madhor, që është liria e medias, që është qëndrimi larg i politikës në ndikimin që politika në fakt sot ka mbi gjithë median shqiptare, audiovizive, të shkruar e kështu me radhë. Po të shohim sot, nuk e di a e vutë re ju, por sot nuk pamë atë shenjën e ER TV në takimin me komisionarin Hahn. kjo ishte diçka që mua më bëri përshtypje por që në fakt tregon se sa i gabuar është dhe se sa kundër ligjit të funksionimit të mediave në Shqipëri shkon pikërisht ajo gjë. Është një censurë e pastër. Sot flitet dhe për diçka tjetër atë të kasetave të gatshme, ku live vjen te media i gatshëm dhe prezantohet te ju (media) ashtu si i intereson politikanit dhe jo ashtu si është e vërteta. Kjo është fatkeqësi për opinionin publik. Këtu kemi një mungesë të theksuar të lajmit dhe të së vërtetës. Kjo duhet të marrë fund dhe ky kusht që në fakt u vendos sot është një kusht që i vendoset edhe qeverisë shqiptare për fat të keq.

 

Si e keni parë seancën e sotme dhe si është LSI në opozitë tashmë në bashkëpunimin me PD?

Ka pasur një debat. Nuk ka pasur një shou dhe kjo besoj është pozitive sepse zakonisht kur Kryeministri është në sallë bashkë me kryetarin e opozitës ka gjithmonë një shou i cili zgjat më shumë se sa dy orë dhe që shpeshherë bëhet i lodhshëm jo vetëm për ne në sallë por edhe për ata që ndjekin nga ekrani. Përsa i përket opozitës, ne jemi munduar të qëndrojmë brenda linjave parlamentare duke respektuar edhe rendin e ditës. Sepse në kaq vite jetë parlamentare ne kemi harruar të lexojmë rendin e ditës. Shumë prej deputetëve nuk e dinë se çfarë do diskutohet ditën e enjte në Kuvend. Rendi i ditës është me shumë rëndësi sepse është ai rend dite që ndikon në jetën e tyre të përditshme për mirë apo për keq. Dhe ata duhet ta dinë se çfarë vendimesh merren në emër të tyre. LSI ka qenë shumë aktive, me një grup parlamentar që unë do ta vlerësoja jashtëzakonisht shumë, ndoshta edhe falë eksperiencës sepse vjen me një grup i cili ka në bazë të tyre edhe shumë ish-ministra që prekin dhe njohin mirë shumë nga sektorët. Është për t’u vlerësuar gjithë pjesëmarrja e tyre në Kuvend por edhe jashtë saj me gjithë jetën mediatike në vend.

 

Së fundmi duket se opozita është duke peshuar nxjerrjen ose jo të luftës opozitare edhe jashtë sallës së Parlamentit, si e shikoni ju këtë?

Unë mendoj se Parlamenti është shumë i rëndësishëm dhe se lufta nëse duhet bërë, duhet bërë brenda institucioneve. Është shumë e thjeshtë të thuash që, të ftojmë njerëzit tanë, mbështetësit tanë, shoqërinë civile, të gjithë ata që besojnë se Shqipëria duhet të jetë ndryshe, të dalin në rrugë dhe kjo të jetë një rrugë pa kthim. Çështja është që lufta duhet bërë brenda institucioneve. Patjetër që të gjitha vijnë, edhe protestat vijnë dhe unë besoj fort që do të vijnë në momente të caktuara. Por, i gjithë debati politik dhe vënia para përgjegjësisë të kujtdo që është pjesë e gjithë kësaj rrëmuje në të cilën ndodhet sot Shqipëria duhet të vendoset pikërisht në atë institucion që njeh dhe Kushtetuta e Shqipërisë, që është pikërisht Kuvendi.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb