TIRANË- Emisioni “Njerëz në Fokus” i gazetares Ola Bruko ka sjellë detaje të tjera nga krimi në Fier ku Ferdinand Ruko vrau bashkëshorten e tij Lilianën duke e hedhur nga dritarja e banjës së banesës së tyre në katin e katërt.

Sipas të dhënave zyrtare, 43-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve e ka denoncuar më 6 nëntor burrin e saj për dhunë. Më 6 nëntor ajo ka bërë një telefonatë në polici ku ka bërë prezent shqetësimin e saj për problemet me burrin dhe ka deklaruar se ai e kishte dhunuar, rrahur. Motivi i sherrit ka qenë banal, për shitjen e një makine të motrës së Ferdinandit.

Menjëherë pas denoncimit burrë e grua janë marrë nga policia janë çuar në Komisariat ku janë pyetur. Një nga specialistët e policisë së Fierit një ditë më pas, në datë 7 nëntor e ka marrë Lilianën dhe e ka çuar në shtëpinë e vëllait të saj, shtetasit Robert Zhezha.

Më datë 15 nëntor është zhvilluar seanca e parë pas kërkesës së plotësuar në polici për urdhrin e mbrojtjes. Në këtë seancë janë deklaruar të dy bashkëshortët dhe është vendosur njëkohësisht që Ferdinand Ruko të paguajë për fëmijët si kontribut ushqimor 27 mijë lekë të reja në muaj, 12 mijë për më të voglin dhe 15 mijë për të madhin.

Gjatë kësaj kohe Liliana ishte kthyer në shtëpinë e saj, ndërsa burrit i ishte komunikuar që të mos i afrohej më shumë se 2 metra.

Në datën 21 nëntor, i njëjti inspektor që e ka çuar në shtëpinë e vëllait e ka takuar gruan dhe i ka kërkuar të dijë si është situata. Ajo i ka thënë se situata ka qenë e qetë.

Seanca e dytë është bërë më 25 nëntor për të verifikuar deklaratat e bëra në seancën e parë dhe urdhrin e mbrojtjes. Në këtë seancë Ferdinand Ruko ka kërkuar që t’i hiqet masa e dhënë në seancën e parë për të paguar 27 mijë lekë për fëmijët, duke deklaruar se paguan për fëmijën e parë 10 mijë lekë të reja. Këtu ka dalë në skenë fakti që burri-vrasës kishte qenë më parë i martuar.

Nga seanca e dytë, brenda 48 orësh, gjykata duhet të lëshonte edhe urdhrin e mbrojtjes duke e çuar një kopje në zyrën përmbarimore; një kopje në zyrën e shërbimeve sociale në bashkinë e Fierit; një kopje burrit të 43-vjeçares; dy kopje gruas dhe një komisariatit të Policisë Fier. Por ky urdhër nuk u dërgua kurrë tek institucionet dhe dy bashkëshortët.

Pavarësisht problemeve burrë e grua jetonin në të njëjtën banesë. Në momentin e krimit është mësuar nga fqinjët se Ferdinand Ruko i ka vënë në dukje gruas se ajo e kishte denoncuar në polici.

Me gjithë lutjet e saj për të mos e lëshuar, ai e ka shtyrë nga dritarja dhe ajo ra nga kati i katërt duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Pas ngjarjes dy fëmijët e 43-vjeçares janë marrë në kujdes nga një psikolog dhe më pas janë dërguar në banesën e prindërve të nënës së tyre.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb