Turqia ka paralajmëruar qeverinë sirianë që të mos ndihmojë kurdët të luftojnë kundër forcave turke në Sirinë veriore, shkruan BBC. Zv/kryeministri turk Bekir Bozdag deklaroi se operacionet e Turqisë po vazhdojnë sipas planit dhe tha se do ishte “një katastrofë” nëse trupat sirianë do ndërhyjnë.

Media siriane më herët raportuan se ushtria do ndihmonte kurdët t’i rezistonin operacioneve turke në territorin e Afrinit por deri tani nuk ka pasur asnjë shenjë ndihme dhe milicia kurde ka mohuar një marrëveshje me Damaskun.

Turqia i konsideron luftëtarët kurdë përgjatë kufirit të Afrinit si terroristë dhe muajin e kaluar nisi një ofensivë madhore kundër tyre. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i tha homologut të tij rus Vladimir Putin se Damasku do të përballej me pasoja nëse do lidhte një marrëveshje me kurdët.

Sakaq Ministri i Jashtëm turk Minister Mevlut Cavusoglu dha një mesazh të njëjtë më vonë gjatë ditës.
“Nëse ushtria siriane ndërhyn në mbrojtje të luftëtarëve kurdë, atëherë asgjë dhe askush nuk mund t’i ndalojë ushtarët turq” tha Kryediplomati turk për gazetarët në Jordani.

Mijëra civilë janë larguar nga territori i Afrinit që kur Turqia nisi ofensivën një muaj më parë.
Turqia ka mbështetur rebelët që luftojnë kundër forcave të qeverisë siriane që kur filloi lufta civile në 2011, por megjithatë nuk ka patur përballje të drejtpërdrejtë mes dy fuqive që kur Siria rrëzoi një avion luftarak turk në 2012, ku mbetën të vrarë dy pjesëtarë të ekuipazhit.

(a.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: