Nga: Basir ÇOLLAKU

Bledar Naçi është ish-oficer i Antidrogës, dikur i dekoruar nga Saimir Tahiri dhe i përgëzuar nga Edi Rama për “heroizëm” dhe sot, i detyruar të strehohet nga përndjekja e shtetit që i shërbeu për shumë vite. Njësoj si Dritan Zagani dhe Antonio Nazeraj, jeta e Bledar Naçit mori tatëpjetën kur u përplas me grupin e Habilajve që udhëtonin me makinën e ish-ministrit të Brendshëm, në fund të vitit 2013.

Dje, në pjesën e parë të intervistës për “Gazetën Shqiptare”, ish-efektivi i Antidrogës së Fierit rrëfeu detajet e shoqërimit të vëllezërve Habilaj dhe lirimin e tyre me urdhrin e drejtorit të policisë. Pas këtij incidenti, njësoj si shokët e tij Naçi u akuzua se i kishte marrë 10 mijë lekë të reja një personi që sot rezulton i dënuar për disa vepra penale.

“Gazeta Shqiptare” ju sjell sot pjesën e dytë të intervistës me ish-efektivin e policisë, Bledar Naçi (sot ndodhet në një vend të BE) ku ai flet për trafikun e heroinës dhe kokainës. Naçi tregon dy incidente: i pari, kur sekuestruan 3.5 kg heroinë dhe “i zoti i mallit” i kërcënoi duke thënë se “Përgjimet që ju i dëgjoni në zyrë, mua mi sjellin nga Tirana dhe i kam në shtëpi”.

Dhe incidenti tjetër, kur ai dhe Zagani ndaluan një skaf të dyshuar për trafik dhe policia e Vlorës u përplas me ta me armë, pasi nuk lejonte sekuestrimin e skafit.

(vijon nga numri i djeshëm)

Pastaj erdhi arrestimi, burgosja dhe dënimi?
Jam arrestuar me datë 2 maj 2014, dhe jam liruar nga burgu me datë 14 janar të vitit 2015

Jeni pyetur ndonjëherë gjatë qëndrimit në burg?
Jo, gjatë qëndrimit në burg nuk jam pyetur asnjëherë. Pas disa muajsh më ka ardhur në qeli shefi i SHKB Fierit, duke më paraqitur një shkresë ku më kërkohej të firmosja mbylljen e hetimeve, se nuk ishin gjetur prova për të vazhduar hetimet më tej. Ishte ky person që më ka ardhur dhe në mjediset e burgut të Vlorës. Nuk jam pyetur asnjëherë nga prokuroria

Jeni dënuar pastaj?
Jam dënuar dy vjet me shërbim prove. Pas daljes nga burgu jam larguar nga Shqipëria pas disa muajsh.

Përse, ishit i pasigurt, kishit kërcënime?
Kërcënimet ndaj meje jashtë burgut kanë rrjedhojë dhe ato që janë bërë gjatë qëndrimit në burg. Kjo ka ndodhur dhe në burg

Si?
Mund ta verifikoni. Në burgun e Vlorës kam ndenjur në qeli me persona që ishin të dënuar me 25 vjet për vrasje,

Në qeli të dënuar ka..?
Po e di këtë, kam qenë në dhomë me persona që kanë qenë të dënuar për vrasje, për grabitje me armë dhe për pengmarrje, jam kërcënuar dhe nga të dënuar të tjerë.

Keni denoncuar?
Jam goditur brenda në burg.

Si goditur?
Po më kanë qëlluar të burgosur, duke më thënë se ti u ke bërë shumë keq miqve dhe shokëve tanë, gjatë kohës që ke punuar në polici, sidomos kohët e fundit. Jam masakruar, sepse një moment kam qenë vetëm dhe jam qëlluar, më kanë thyer dhëmbët e nofullës së sipërme, në burgun e Vlorës.

Ju nuk e keni denoncuar?
Ku ta denoncoj. Jam këshilluar dhe jam mbyllur në qeli, sepse këto gjëra mund të nisnin si sherre banale dhe mund të ishte fort mirë një tentativë ekzekutimi ndaj meje dhe kam shpëtuar për fat të ndërhyrjes së disa punonjësve të burgut që u ndodhën dhe hynë me shpejtësi. Kanosja ka vijuar edhe pas daljes nga burgu, kanë ardhur mesazhe direkt dhe indirekt, në lagjen time dhe në banesën time

Ju i keni denoncuar?
Ju pyesni a i kam denoncuar? Te cila polici? Te ajo e Fierit, që mua më futi brenda në atë mënyrë, te ata drejtues policie që kishin ato lidhje dhe njohje, ajo polici do më jepte garanci për jetën time..!!!

Intervistën e plotë e lexoni në “GSh.al”:

http://www.gsh.al/2017/11/08/intervista-2-oficeri-antidroges-fieri-baze-tranziti-per-heroinen-e-afganistanit-kush-eshte-grupi-fuqishem-se-habilajt/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: