Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i tha të premten Këshillit të Sigurimit se me Korenë e Veriut duhet angazhim diplomatik, në mënyrë që të shmanget ai “nivel i rrezikut” që mund të çojë në pasoja katastrofike.

Duke iu adresuar takimit që e ndoqi edhe sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, Guterres tha se duhet të shqyrtohen perspektivat për rinisjen e bisedimeve midis Koresë së Veriut dhe fuqive botërore.

“Angazhimi diplomatik është rruga e vetme për paqen e qëndrueshme. Duhet të bëjmë gjithçka të mundur për të arritur këtë qëllim dhe për të shmangur nivelin e rrezikut që do të ishte i paparashikueshëm në trajektoren e tij dhe katastrofik në pasoja”, tha Guterres, njofton REL.

Guterres tha se Kombet e Bashkuara mund të luajnë rol në promovimin e kontakteve dhe ndërtimin e besimit.

Gjatë vitit të kaluar, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar tre rrethe sanksionesh në përpjekje për të zmbrapsur Phenjanin nga programet ushtarake.

Phenjani ka kryer provën e gjashtë bërthamore në shtator dhe disa teste raketore gjatë vitit 2017.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: