Gianluiggi Buffon me shumë mundësi ka luajtur ndeshjen e fundit në “Champions League” në karrierën e tij pasi 40-vjeçari më herët ka deklaruar se mund të tërhiqet në fund të sezonit.

Mbyllja sigurisht nuk ishte ajo që kishte ëndërruar pasi u ndëshkua me të kuq për shkak të protestave ndaj arbitrit për shkak të penalltisë. Por pavarësisht se në fund të ndeshjes italiani mori notën 7.5 ish-portieri legjendar i Bayern Mynchen dhe Gjermanisë, Oliver Kahn, shprehet se Buffon do të kishte bërë mirë të tërhiqej më herët nga futbolli. Pikërisht siç bëri edhe vet ai, apo siç bëri më pas Philipp Lahm.

“Sigurisht nuk është e lehtë të kuptosh se kur duhet të ndalesh – shpjegon Kahn për gjermanen “Bild”. – Nëse do të ishte tërhequr më herët, ai do të kursente eliminimin nga Suedia, por edhe këtë zhgënjim të fundit përballë Realit. Megjithatë, ai është shtyrë gjithmonë nga arritja e rekordeve të reja, e mbi të gjitha nga ëndrra për të fituar Champions League”.

Kahn vendosi të tërhiqej gradualisht. Në fillim la Kombëtaren në vitin 2006, në përfundim të Botërorit të Gjermanisë, e më pas në vitin 2008 i dha “lamtumirën” edhe futbollit të luajtur.

“Ndoshta mund të luaja edhe për 2-3 vite të tjera, – vazhdon Kahn. – Por për çfarë do të nevojitej? Edhe Lahm më duket se mori vendimin në kohën e duhur. Nëse nuk je në gjendje të përcaktosh momentin e duhur për t’u ndalur, largimi më pas është më i dhimbshëm. Do t’i sugjeroja Buffonit të varte këpucët në gozhdë. Ai ka qenë kampion bote, ka qenë portieri më i fortë në botë, e këto vlejnë shumë. Sigurisht nuk vlen aspak kartoni i kuq i marrë në ndeshjen me Realin dhe fakti që nuk ka fituar ndonjëherë Championsin”.

Gjithsesi, realitet është se Gigi tregoi edhe gjatë së mërkurës se është ende në lartësinë e duhur për të luajtur. Dështimet apo gëzimet nuk mund të parashikohen përpara se të luhen ndeshjet. E të flasësh pas tyre, sigurisht që bëhet edhe më e lehtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb