TIRANË- Këshilltarët demokratë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, akuzojnë kryebashkiakun Erion Veliaj se ka falsifikuar shkrimin dhe vulën në gjobën ndaj PD-së për protestën e 8 dhjetorit. Kreu i këshilltarëve të djathtë, Leonard Olli tha sot se Veliaj është super talenti për të falsifikuar dhe manipuluar.

“Erion Veliaj vijon të promovojë në vazhdimësi talentet e tij. Ai tashmë nuk është vetëm guximtari për të vjedhur, talenti për të mashtruar, por edhe super talenti për të falsifikuar dhe manipuluar. Ekspertiza e laboratorit kriminalistik ka vërtetuar se shkrimi dhe firma në gjobën e Bashkisë së Tiranës, për pseudodëmet që PD krijoi në protestën e 8 dhjetorit, është e falsifikuar. Ky falsifikim është provuar shkencërisht! Nuk ka më akt më të turpshëm dhe veprim më të pacipë se të falsifikosh, të mashtrosh dhe manipulosh publikisht, duke dashur të fyesh e denigrosh një punonjës të shtetit, familjen e tij dhe imazhin e PD-së”, deklaron Olli.

Sipas tij, “Ky aventurier i paskrupullt, i cili jo për herë të parë akuzohet publikisht si i përfshihet në falsifikime dhe abuzime të ngjashme, që nga koha kur drejtonte Lëvizjen Mjaft, si ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, sot edhe shkencërisht provohet se është i tillë edhe si kryetar bashkie”. Olli i ka kërkuar Veliajt të japë dorëheqjen dhe të përballet me drejtësinë. “Meqenëse publikisht, në pacipësinë e tij, ka deklaruar se nuk ka asnjë falsifikim në fletën e gjobës dhe se mban përgjegjësi publikisht për këtë, minimalisht duhet ta japë dorëheqjen dhe të përballet me drejtësinë, e cila për këtë vepër penale parashikon deri në 7 vite burg dhe deri në 2 milion lekë gjobë!”, përfundoi ai. ​

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: