NGA: FATMIRA NIKOLLI
Konferenca e paraparë të mbahej dje në orën 11:00 në Teatrin Kombëtar për premierën e shfaqjes “Opera për tri grosh”, nuk u mbajt. Teatri, nuk kishte energji elektrike, çka ka ndodhur shpesh së fundmi edhe gjatë shfaqjeve në mbrëmje, për shkak të ndërrimit të linjës nga furnizohet një ndër të institucionet më të rëndësishme të artit në vend. Biseda mes medias e artistëve të shfaqjes, u bë në lulishten e oborrit të teatrit, ndërsa rrezet e zbehta të dhjetorit përthyheshin e lakoheshin mbi trupat e njerëzve që rreken t’i bien shtetit me art.

Komedia “Opera për tri grosh” shkruar nga Vaclav Havel është ripunim i “Operës së lypsarit” të dramaturgut anglez Xhon Geit. Regjisori Mehmet Xhelili thotë se e zhveshur nga burimi muzikor i origjinës, pjesa sjell thelbin e përgjakshëm të pushtetit mes Piçëmit, Mekit dhe Lokit, secili syresh një personalitet në radhët e policisë dhe grupeve rivale kriminale. Në skenë dalin në role të ndryshme duke ngërthyer të djeshmen që jetojmë përditë aktorët Arben Derhemi, Alfred Trebicka, Vasjan Lami, Adelina Muca, Olta Gixhari, Laura Nezha, Niada Saliasi, Lulzim Zeqja, Eva Alikaj, Erjona Kakeli, Anila Bisha, Rajmonda Bulku, Arjola Basho, Julinda Emiri, Gert Ferra, Genti Decka, Gent Hazizi, Igli Zarka, Xhuliano Brisku.

“Brehti e vuri veprën për efektin shkatërrues e tjetërsues që ka sistemi kapitalist në tërësi, ndaj njeriut, ndaj marrëdhënieve, ekonomisë dhe gjithë shoqërisë. Haveli e rimori si temë në vitet 1970. Ishte koha kur atij i ishte ndaluar të shkruante. Dramaturg i madh me ndikim në teatrin çek, europian, e botëror, iu dha mundësia ta rishkruante këtë vepër çka e bëri me pasion. Vepra u vu vetëm një herë, sepse Haveli te tema e satirës politike të John Gate, në fakt, kishte gjetur çelësin për të bërë një satirë mjaft të hollë e të mprehtë kundër sistemin jokapitalist, por atij komunist”, thotë Xhelili që ka marrë përsipër regjinë, për çka kish ëndërruar që në fillim vitet 1990, kohë kur kish njohur Havelin dhe qe marrosur pas tij. Ende thekson se të vësh Havelin në skenë, kudo është ngjarje e madhe.

“Fabula ime është Haveli, ai i flet realitetit. Ai përdori një temë antikapitaliste për të folur si antikomunist. Tema është universale pavarësisht kohës. E rimora se ka këto të dhëna: është një vepër që i flet edhe sistemit që kaluam ne, edhe sistemit sot. Janë tema mbi korrupsionin e njeriut, mbi kriminalizimin e shtetit, mbi kompromiset më të skajshme e të ndyra që bëhen vetëm për para e për pushtet e për lavdi. Janë tema, të cilat kanë shkuar në skaj në shoqërinë tonë të sotme. Kjo është arsyeja që unë me këtë subjekt, me këtë autor brilant dhe me këta aktorë të shkëlqyer vë në skenë këtë vepër që e doja shumë, e mbi të gjitha i flas publikut për këto probleme”. “Opera për tri grosh” sjell një shtet të kapur nga krimi, korrupsioni, kompromisi, por kujt i flet ajo në Tiranë? Ai i flet shtetit të së përditshmes sonë? “Ne jetojmë në shoqëri të lirë, jo në atë komuniste. Natyrisht arti duhet të provokojë, nuk duhet t’i zbusë tonet dhe kjo është sfidë e artit”, thotë Xhelili. Regjisori thekson se është një histori me hajdutë, me banda, rivalitet, me korrupsion, me korrupsionin e shtetit, me korrupsionin kapilar të gjithë shoqërisë, është shoqëria angleze në një fazë të zhvillimit të saj kapitalist ose politik ku korrupsioni, vjedhja e kriminalizimi i shtetit kish arritur kulmin.

Pjesën e ka dashur prej kohësh, por vetëm së fundmi “mora ftesën nga drejtori dhe nga bordi artistik i “Teatrit Kombëtar”, për të paraqitur një projekt. Menjëherë paraqita “Opera për tri grosh”, thotë Xhelili, që nga ana tjetër, i pyetur për buxhetin e pjesës, thotë se “TK” ka inkurajuar apo miratuar vepra që kanë shumë personazhe. Unë mendoj se “TK” është i vetmi që mund ti përballojë projektet e mëdha. Nuk kam pas pengesa në këtë kuptim. Kam marrë aktorë që janë pjesë e “TK” me kontrata dhe të tjerë”. Nga ana tjetër, ai nuk di të japë një shifër se sa ka kushtuar kjo shfaqje për buxhetin e teatrit. “Unë jam regjisor dhe nuk merrem me terma financiarë. Nuk e di sa ka kushtuar. Kam një kontratë me “TK” dhe për çdo gjë tjetër, ka sektorë të veçantë që merren me këto punë”. Sa i takon energjisë elektrike që braktisi në konferencë, deri në ardhjen e një grupi të OSHEE me gjenerator, Xhelili tha se pritet që defekti të zgjidhet.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: