DURRES– 4 persona janë arrestuar nga policia e Durrësit, ndërsa një është në procedim penal, në sajë të operacionit të koduar ”Depërtimi”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për goditjen e rasteve të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, pas informacioneve të marra në rrugë operative kane arrestuar në flagrancë Fatmir Buzi, 44 vjeç, banues në Shkozet, Rejdi Buzi, 19 vjeç, banues në Shkozet, djali i F.Buzit, Shkëlzen Hoxha, 30 vjeç, banues në Shkozet, si dhe Berlin Metaj, 18 vjeç, banues në Durrës.

Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shkak të moshës në ngarkim të S.M. 15 vjeç, banues në Kënetë. Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 23 janar 2017, në lagjen nr. 14, Durrës, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Fatmir Buzit, ku të pranishëm ishin edhe shtetasit e arrestuar, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 30 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva si dhe disa telefona celularë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale”Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ kanë zbuluar detaje të reja në lidhje me operacionin dhe mënyrën si u kapën trafikantët. Mësohet se droga kultivohej në malet e Krujës nga Fatmir Buzi dhe Shkëlzen Hoxha, ndërsa Berlin Metaj ishte blerësi i drogës. Sipas burimeve policore, Blerim Metaj kishte siguruar edhe klientët ku do shpërndante drogën. Sakaq një kilogram kanabis shitej nga Fatmir Buzi 250 euro. Ndërhyrja e policisë është bërë gjatë kohës që po bëhej pazari.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb