Forcat Ajrore kanë shpëtuar familjen me pesë anëtarë, mes tyre dhe një foshnjë 5 muajshe, të cilët ishin bllokuar nga përmbytja. Familja Gjetani ka bërë thirrje për ndihmë dhe Ministria e Mbrojtjes ka dërguar një helikopter “Cougar” të FA-ve.

Shtëpia 2 katëshe e Medi Gjetanit në njësinë administrative Lis është përmbytur plotësisht nga uji. Sipas gazetarit Enver Doçi kati i parë nuk duket fare për shkak të ujit. Në familjen prej 5 anëtarësh ishte një foshnjë 5 muajsh dhe një e moshuar 83 vjeçe.

Pasi forcat e ushtrisë kanë hipur në helikopter familjen kanë bërë edhe një foto me foshnjën, e cila është publikuar nga kryeministri Edi Rama.

Në Lezhë efektivë të Forcave të Armatosura janë duke punuar tek nënstacioni për të penguar rrjedhjen e ujërave në dy drejtime, në mënyrë që të evitohet përmbytja e qytetit. Ndërkohë që është vendosur një motopompë.

Aktualisht po punohet edhe tek shkolla 9 vjeçare “Kosova” që ndodhet në qendër të Lezhës si dhe tek Konvikti i Shkollës së mesme Ekonomike. Kështu që vijojnë të jenë në operacion në Lezhë 30 trupa të ushtrisë dhe 9 mjete të kalueshmërisë së lartë, gjithnjë në ndihmë të banorëve për shpëtimin dhe evakuimin e tyre. Dhe në rrethin e Matit në qarkun e Dibrës janë në operacion efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 mjete të kalueshmërisë së lartë, në shërbim të Shtabit të Emergjencave Civile, në ndihmë të shpëtimit dhe të evakuimit të qytetarëve. Ndërsa operacioni i ushtrisë për evakuimin e qytetarëve po vijon me të njëjtin intensitet dhe në Fushë Krujë, në Borizanë dhe Derven, si dhe në zonat në periferi të Tiranës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: