TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një dalje për mediat reagoi lidhur me deklaratën e kreut të qeverisë për futjen në skemën e TVSH-së të bizneseve të vogla.

Basha i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të pranojë propozimin e opozitës për biznesin e vogël, duke i kërkuar të heqë dorë nga futja e TVSH-së për këtë biznes.

Në një dalje për mediat pas mbledhjes së grupit, Basha tha se oligarkët nuk fshihen pas biznesit të vogël por në paradhomën e kryeministrit. Ai tha se futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së do të rrisë çmimet, do të mbyllë vende pune dhe madje do të ulë të ardhurat për arkën e shtetit.

“Dua të jap një përgjigje për çështjen e TVSH dhe çoroditjen totale. Ai nuk di se ca thotë. I referohet statusit të një deputeti që e ka çoroditur akoma më shumë. Ku është ndihma këtu për oligarkët? Oligarkët për ta është që të vendosa barrën e TVSH tek ata që mbajnë frymën gjallë. Trego se sa kontribuojnë oligarkët që rri nga mëngjesi deri në darkë.
Nëqoftëses këta thonë se paska oligarkë që maskohen me biznese të vogla çfarë përgjegjësie mbajnë këta për dhjetëra aksione të ashtuquajtura kundë informaliteteti? A mund të na tregojnë cilat qenkan rezultatet e këtyre aksioneve dhe cila është përgjegjësia e Edi Ramës si kryeministër për 4 vite e kusur për këto aksione? Akoma pretendohet se oligarkët fshihen tek biznesi i vogël… Në fakt oligarkët nuk fshihen tek biznesi i vogël por tek paradhomat e kryeministrit, pse jo edhe në zyrat e tij dhe në rezidencat e tij të pushimit.
Lufta kundër informalitetit nuk bëhet duke goditur biznesin e vogël. T’i drejtojë pyetjen vetes pse vetë ekspertët e tij janë ngritur kundër futjes së TVSH-së tek biznesi i vogël, pse FMN është shprehur kundër. Ne mirëpresim një ballafaqim të argumenteve si opozitë, pse jo të ftojmë gjithë faktorët, edhe biznesin e vogël edhe institucionet financiare ndërkombëtare, FMN, edhe ekspertët e ndryshëm që vijnë nga bota akademike, disa prej tyre shumë afër në mendime me PS-në dhe të ndajmë shapin nga sheqeri. Futja e biznesit të vogël në skemën TVSH nuk ndihmon në formalizimin e ekonomisë, do të rrisë çmime, do të shkatërrojë vende pune duke mbyllur biznesin e vogël dhe do t’i bëjë favore vetëm një grushti oligarkësh, duke i bërë ata totalisht të pakonkurrueshëm në tregun e konsumit të mallrave nga bizneset e vogla që operaojnë sot anembanë vendit. Ndaj thirrja ime është të heqë dorë nga retorika, të pranojë propozimin e opozitës që shumë shpejt do të materializohet dhe të heqë dorë nga paniku dhe çoroditja që e ka kapur nga një front i bashkuar qytetarësh, konsumatorësh, biznesi i vogël, opozita, institucionet financiare ndërkombëtare si FMN-ja dhe ekspertët të cilët njëzëri kërkojnë me të drejtë kërkojnë që biznesi i vogël mos të futet në skemën e TVSH-së sepse në këtë mënyrë do të rriten çmimet, do të shkatërrohen vende pune dhe vetë arka e shtetit nuk do të përfitojë por do të humbë të ardhura”, deklaroi Basha.

Mes të tjerash Basha tregoi se çfarë u diskutua sot në mbledhjen e Grupit parlamentar të PD-së, ku kryefjala ishte reforma zgjedhore.

Tema kryesore ka qenë reforma zgjedhore. Zoti Bylykbashi ka paraqitur një draft-strategjinë e PD, e cila përmblidhet në një aksion politik; dekriminalizmi i zgjedhjeve. Dekriminalizmi i zgjedhjeve dhe përmbushja e të drejtës së votës për emigrantët, një nga propozimet e kahershme prej 8 vitesh nga PD. Janë dy shtyllat kryesore të reformës zgjedhore; dekriminalizimi i zgjedhjeve dhe vota e emigrantëve. Çështja e dytë lidhet me amendamentet që do i përcillet Kuvendit për librat falas nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.

Pika e treta ka të bëjë me disa ligje që maxhoranca propozoi përkeqësimin e kontrollit të qeverisë në sektorin e noterëve publike. Beteja jonë për shkëputjen e lidhjes krim shtet do të vazhdojë.”, tha Basha. Për reformën zgjedhore ai tha se: “Kemi propozimet tona, që do pasurohen me bashkëbisedimin me aletatët tonë që duan t’i japin fund vjedhjes së votës, shit-blerjes së votës dhe bashkëpunimit të kriminelëve me politikanët.”.
(ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb