TIRANE- Ish-ministri i Energjitikës, Dritan Prifti u nda nga jeta ditën e sotme pas një sëmundjeje të rëndë. Edhe pas nënshtrimit të kurave intensive në Itali dhe Gjermani muajve të fundit, fatkeqësisht nuk mundi t’i bëjë ballë Leuçemisë.

BalkanWeb mëson se Prifti ka ndërruar jetë në shtëpinë e tij. Gazetari Erjon Skëndaj raporton se pasi mjekët italianë ia kishin hequr shpresat ditë më parë, ai u kthye pranë familjes për të kaluar orët e fundit me ta.

Pasditen e djeshme ai është kthyer në Shqipëri, ndërsa u bë me dije se gjendja e tij po shkonte drejt përkeqësimit.

Pak kohë para zgjedhjeve të 25 qershorit ai pohoi se po përballet me një sëmundje të rëndë, e cila nuk e lejonte të bëhej pjesë e fushatës.

Ai tha se nuk mundej fizikisht pasi prej mbi një viti po luftonte me një sëmundje agresive dhe të vështirë gjaku. Prifti shërbeu si Ministër i Energjitikës në vitet 2009-2010.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb