Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, do të organizojë zgjedhjet presidenciale të Serbisë në Kosovë, nëpërmjet operacionit të quajtur “grumbullimi i votave”.

Në një njoftim të së premtes, kjo organizatë tha se me kërkesë të Beogradit dhe miratim të qeverisë së Kosovës, do t’u mundësojë qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë që të hedhin votën e tyre në zgjedhjet presidenciale të Serbisë që mbahen më dy prill.

OSBE-ja planifikon të hapë katër qendra të grumbullimit të votave me degë të ndryshme në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, ngjashëm më zgjedhjet e kaluara.

Misioni i OSBE-së thotë se do të jetë bartës i operacionit në Kosovë, duke përfshirë edhe ruajtjen e materialit të ndjeshëm dhe integritetit të procesit. Me t’u përmbyllur operacioni, OSBE do t’i bartë votat e grumbulluara në Rashkë dhe Vranjë të Serbisë do t’ia dorëzojë ato Komisionit të atjeshëm Zgjedhor.

Serbët e Kosovës janë lejuar të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë meqë kjo u është garantuar me parimin e dyshtetësisë, që është i përfshirë në Kushtetutën e Kosovës. Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë shpesh është kundërshtuar nga një numër subjektesh politike të cilat pohojnë se në këtë mënyrë po pengohet integrimi i komunitetit serb. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian.

Zgjedhjet e së dielës në Serbi shihen si sprovë për politikat e kryeministrit aktual serb Aleksandër Vuçiç që ecën në vijën e ngushtë ndërmjet aspiratave për integrimet evropiane dhe lidhjeve të ngushta me Rusinë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: