Në vitin 2005, Tefik Osmani ishte një nga talentet më premtues të futbollit shqiptar. Pa mbushur ende 19 vjeç, ai u transferua nga Elbasani te Metalurg Zaporizhja në Superligën ukrainase. Ishte në një skuadër me ish-kapitenin legjendar të Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, por në ndryshim nga ky i fundit, qëndroi vetëm 6 muaj në Ukrainë.

Në prag të ndeshjes që korçarët kanë me Dinamon e Kievit, Osmani pranon të tregojë ekskluzivisht për “Panorama Sport” histori të patreguara ndonjëherë në lidhje me aventurën e shkurtër në Ukrainë. “Shahtjori na kishte premtuar 15 mijë dollarë për kokë, në rast se ndalnim Dinamon e Kievit”, thotë ndër të tjera Osmani për ndeshjen e tij të parë kundër gjigantit ukrainas, që nesër është kundërshtar i Skënderbeut.

Tefik, ju dhe Vangjeli jeni të vetmit lojtarë të Skënderbeut që keni provuar të luani në Ukrainë. Çfarë mbani mend nga karriera e shkurtër te Metalurg Zaporizhja në sezonin 2005-2006?

Të them të drejtën ka qenë një periudhë ku gjithçka nisi mirë për mua. Luaja me Kombëtaren Shpresa dhe isha shumë i ri kur u transferova në kampionatin ukrainas. Ishte një fillim i mirë për mua, por edhe i mbushur me gabime, që kur i mendoj tani, më vjen keq që i kam bërë, sepse nëse do të më jepej mundësia, do t’i bëja gjërat ndryshe.

Për çfarë gabimesh e keni fjalën?
Unë në atë kohë luaja me Elbasanin dhe kur u transferova në Ukrainë firmosa një kontratë 2-vjeçare. Kushtet ishin mjaft të mira, por pas gjashtë muajve të parë, trajneri i Metalurg Zaporizhjas u ndërrua. Marrëdhënia ime me trajnerin e ri ishte e ngrirë. Këtu ishte gabimi im, pasi vetëm doja të luaja titullar, nuk mendoja për asgjë tjetër. Pra, nuk rezistova për të bindur trajnerin e ri, por kërkova të largohesha në një skuadër tjetër, vetëm për të luajtur si titullar. Ishte gabimi më i madh që kam bërë në karrierë. Merrja një pagë rreth 30 mijë dollarë në muaj, gjë që edhe sot është një shifër e mirë për futbollistët. Mirëpo, në atë kohë nuk më hynte gjë në sy. Doja vetëm të luaja.

Si ishin ato vite dhe cili është ndryshimi me kohën e sotme?
Në ato vite futbolli shqiptar kishte problemet e veta, ndryshe nga tani që Skënderbeu ka krijuar profilin e një ekipi mjaft të mirë dhe të krahasueshëm me nivelet europiane. Ndërsa në Ukrainë, futbolli ishte shumë më i përparuar. Ishte pak a shumë në nivelet që është tani. Të kuptohemi, bëhet fjalë për 12 vite më parë.

Ju keni luajtur me Metalurgun edhe kundër Dinamos së Kievit, rivalit të radhës për Skënderbeun. Si e kujtoni ndeshjen e parë ndaj gjigantëve ukrainas?
Më kujtohet mjaft mirë. Ka qenë që në javën e parë të kampionatit dhe kemi luajtur në Kiev kundër tyre. Jo në stadiumin ku luajtëm tani me Skënderbeun, por në një tjetër më të vogël. Ishte një ndeshje e fortë dhe ne arritëm të barazonim 1-1 me Dinamon, që ishte pretendente për të fituar titullin kampion.

Është e vërtetë që rivali direkt për titull i atëhershëm i Dinamos, Shahtjor Donjeck, ju vendosi një premio të majme për t’i ndalur?
Po, është e vërtetë. Ka qenë një premio shumë e lartë për ekipin tonë. Kemi marrë një barazim dhe Shahtjori na shpërbleu me nga 15 mijë dollarë për futbollist. Kjo ishte kuota e përcaktuar nga klubi rival i Dinamos. Ishin të dy ekipet që luanin për titull atë sezon, por të dyja shumë të forta.

Tashmë do të keni sërish përballë Dinamon, por këtë herë në “Elbasan Arena”. Sa shanse ka që të fitoni?
Tashmë të gjithë e dimë se gjërat kanë ndryshuar mjaft. Diferencat mes Skënderbeut dhe ekipeve në Europë nuk janë shumë të mëdha. Ju e dini edhe vetë që në çdo takim kemi hyrë me kokën lart, duke tentuar të marrim maksimumin. Edhe në këtë ndeshje do të bëjmë po ashtu, do të kërkojmë të marrim gjithçka dhe të luajmë për fitore.

Të flasim pak për kampionatin, mendoni se hapat falsë në dy ndeshjet e fundit do të ndikojnë në vazhdimësi?
Kjo është diçka që ka të bëjë vetëm me ne. Nëse ne luajmë si në Europë, pra hyjmë në fushë me atë mentalitet loje, atëherë askush nuk na afrohet dot. Por, nëse e ulim ritmin, siç kemi bërë 2-3 ndeshje në kampionat, do t’ia vështirësojmë gjerat vetes. E them këtë, pasi në disa ndeshje, si ajo me Jang Bojs, kam qenë i dëmtuar dhe e kam parë mirë që kundërshtari nuk na afrohej dot në zonën tonë, por mundohej të na bënte keq vetëm me topa inaktivë.

Ndërsa në disa ndeshje në kampionat e kemi ulur ritmin, si kundër Vllaznisë, Luftëtarit apo Kamzës. E kemi pësuar nga sulmet e kundërshtarëve. Kjo nuk duhet të ndodhë, për të mos ia vështirësuar punën vetes, sepse nuk vihet në dyshim që pretendentët kryesorë për titull jemi ne.

Një koment për Kukësin dhe Partizanin?
Këtë kohë jemi aq shumë të zënë me ndeshje, sa nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të mendojmë për Ligën e Europës. Prandaj dua vetëm t’u uroj të tjerëve shikim të këndshëm të ndeshjes ditën e enjte. /PanoramaSport- http://www.panorama.com.al/sport/ekskluzive-osmani-si-fitova-15-mije-dollare-kur-ndala-dinamo-kievin/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: