FIER– Partia Agrare Ambientaliste zhvilloi takimin e radhës me strukturat drejtuese në qarkun Fier. Gjatë këtij takimi kryetari Agron Duka tha se është diskriminuese që çmimi i naftës është i njëjtë si për naftën që përdoret për transport, si për atë që përdoret në bujqësi.

“Them që një nga takimet më të rëndësishme të Partisë Agrare Ambientaliste është pikërisht takimi që bëjmë në këtë qark. Ne vazhdojmë të punojmë tokën me naftë me të njëjtin çmim që përdoret në jetën e përditëshme. Pra si ai që ia hedh mercedezit dhe si ai që ia hedh traktorit e kanë naftën me të njëjtin çmim. Kjo është diskriminuese. Natyrisht ne kemi një frymë pozitive sepse mbështetemi në një ideologji, mbështetemi në një doktrinë. Doktrina jonë është ajo që ju thashë, pra që fokusi i Partisë Agrare Ambietaliste është ai që ka qënë gjithmonë, pra mbrojtja e interesave të banorëve të zonave rurale dhe të ambientit. Por gjithësesi nëse nuk ka stuktura, nëse nuk do të dimë të punojmë është e vështirë që të mbledhim atë që ne duhet të mbledhim realisht”, tha ndër të tjera Duka.

Po ashtu gjatë këtij takimi foli edhe koordinatori i PAA për qarkun Fier, Mustafa Driza. Në fjalën e tij zoti Driza theksoi problematikën e braktisjes së fshatit, ai tha se për shkak të vëmendjes së munguar të qeverisë ndaj zonave rurale, banorët e kanë humbur besimin ndaj bujqësisë dhe blegtorisë e ndaj po i drejtohen emigracionit.

“Vërtet me sa kemi parë zhvillimi i bujqësisë dhe i fshatit shqiptar lë shumë për të dëshiruar. Banorët e zonave rurale e kanë humbur besimin për shfytëzimin e tokës pasi nuk janë të sigurtë për prodhimet e tyre bujqësore. Banorët kanë zgjedhur si rrugë mbijetese emigracionin. Mungesa e statistikave për bujqësinë tregon gjithashtu mungesën e vëmendjes dhe pengon projektet për zhvillim. Detyra jonë si qytetar është vlerësimi për programin më të përshtatshëm që premton progres real dhe ky program na bashkon të gjithëve nën logon e Partisë Agrare Ambientaliste. Ka ardhur momenti t’i bashkohemi kauzës ‘E ardhmja është në dorën tonë’. Duhet të jemi ne ata që kujdesemi për jetën tonë, për jetën e familjarëve tanë dhe për gjithë Shqipërinë” tha Driza.

Ndërsa Sekretari i përgjitshëm i PAA, Genc Juka diskutimin e tij orientoi drejt një tjetër problematike, sistemin vaditës, kullues dhe mashtrimeve të qeverisë për zgjedhjen e problematikës.

“Në programin e Partisë Socialiste ishte shkruar që brenda 4 viteve të do të rehabilitohej i gjithë sistemi vaditës dhe kullues. Bëhej një llogari e tillë që për ta rregulluar të gjithë këtë bashkë me sistemin e hidrovorëve, argjinaturave, digave, etj, dhe bënin një llogari që investimi ishte 170 mln euro. Por mesatarja e investimeve që qeveria ndau për këtë punë çdo vit ka qënë nga një million euro. Ndaj do na duhet 170 vjet që të presim që ata ta realizojnë”, tha Juka.

Në këtë takim u diskuan problematikat e zonave rurale, ngritja dhe fuqizimi i forumit rinor dhe të gruas së PAA në Fier.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: