Nga: Ornela Manjani

TIRANË- Struktura e ekonomisë shqiptare dëmton shtesën e varfër. Modeli për rishpërndarjen e të ardhurave nuk favorizon 300 mijë të punësuar me paga minimale. Shqipëria duhet të ndryshojë modelin ekonomik për të rritur mirëqenien e të gjithë shqiptarëve. Ky është propozimi i profesor Ardian Civicit në studion e emisionit “Të Bësh Ekonomi”. Nga ana tjetër, sipas Kosot Bajrabës qeveria nuk po ndjek politika rishpërndarëse sepse po riformalizon ekonominë, ka vënë theksin në hapjen e vendeve të punës. Qeveria po synon që varfëria të ulet nëpërmjet politikave të zhvillimit.

“Unë kam një këndvështrim më ndryshe. Rritje ekonomike gjithëpërfshirëse do të thotë që shtresa të ndryshme të popullsisë kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe kjo do të thotë që ti me të ardhurat e tua të kontribuosh në rritjen e ekonomisë. Nëse ti ke një ekonomi ku niveli punësimit dhe pagave është i lartë, atëherë kjo rritje bëhet gjithëpërfshirëse. Shqipëria arritjen ekonomike e ka të cunguar. Një pjesë e madhe e kapitalit dhe bizneseve kontribuojnë me 80% ose 90%, pra dhe të ardhurat e tyre do të jenë të larta. Ne nuk mund të rrisin mirëqenien vetëm me politika rishpërndarëse pasi jemi vend shumë i varfër. Po të marrin rastin më të mirë 4% rritje i bie që në fund të vitit për çdo person të ketë një rritje 380 eruo në muaj. Por kjo ka ndodhur. Diskutimi duhet shtruar te struktura ekonomike. Ne kemi bërë “kalë beteje” sistemin e rishpërndarjes. Në rast se kemi 300 mijë të punësuar me paga minimale s’mund të ketë rritje për këtë pjesë. Ne po diskutojmë se kemi humbur shtresën e mesme por në fakt ne këtë nuk e e kemi pasur. Për një barazi më të madhe ekonomike duhet të kemi parasysh zhvillimin e barabartë territorial dhe një sistem punësimi dhe të mos kemi më rroga me 20 mijë lekë vetëm atëherë do të kemi rritje gjithëpërfshirëse”-thotë Civici.
te besh ekonomi
Drejtuesi i departamentit të punësimit në PD, Kastriot Sulka pohon se rritja e normës së inflacionit ka dëmtuar pjesën më të madhe të shoqërisë. “Ne kemi hyrë në vitin e katër që kemi një rritje anemike të ekonomisë. Ka ndodhur që ky grup i marxhinalizuar me ndihmë ekonomike ose pagë minimale në të vërtetë ka pasur rënie të të ardhurave të tyre. Një person që ka marrë 22 mijë lekë në muaj nga 2013-2015 i janë ulur të ardhurat për shkak të normës së inflacionit. Edhe për pensionistët rritja e çmimeve të shportës bazë është 4.6% dhe rritja e pensioneve nuk e mbulon rritjen e pensioneve. Shporta për pensionistët është vdekjeprurëse, efekti është drastik. Ne vijmë në konkluzionet që kjo ka shkuar te një grup njerëzish. Ne kemi arritur në këtë nivel se ne vijmë nga një politikë që duam të privilegjojmë një grup të caktuar njerëzish”- tha Sulka.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: