Pas sfidës të mbyllur në barazim 2-2 kundër Skënderbeut, trajneri austriak i Kukësit, Pacult, për mediat është shprehur se i vjen keq që ndeshja u mbyll me këtë rezultat duke patur parasysh se në pjesën e parë udhëhiqnin pas golave të Kales dhe Shkodrës.

Një barazim pas 2 golave avantazh. Ku gaboi skuadra?

Nuk na vjen mirë, pasi ndeshjen e kishim në duart tona, mund të shënonim edhe të tretin. Goli i parë i Skënderbeut na uli pak iniciativën. Pas atij goli, nuk vepruam siç duhet në fazën mbrojtësi. I lejuam të shënonin. Aty ndryshoi loja, u rikthye besimi tek lojtarët e Skënderbeut. Arritën edhe barazimin. Ne nuk kishim fat të shënonim me Gurin. U pa që Skënderbeu ishte me meritë në vendin e parë.

Pjesa e parë shumë e mirë. Nuk është hera e parë që 90 minuta nuk i zhvilloni njësoj. Kur do e shohim një Kukës të tillë?

Ka të bëjë edhe me kundërshtarët, edhe ne kemi pasur shumë mungesa, nuk duhet ta harrojmë këtë. Ekipi i Skënderbeut me buxhetin që ka, i lejon vetes të ketë një organikë më të madhe. Për ndeshjen e sotme, duke parë edhe kushtet sot, ishte një ndeshje e vështirë. Duhet të pajtohemi me barazimin.

Mbrojtja çedoi tek goli i dytë i Soues. Do vazhdoni të luani në Kukës?

Sa i përket pyetjes së parë, në momentin e parë Soue bëri një veprim klasi, sepse goli ishte shumë i mirë. Gaboi edhe mbrojtja ynë. Këto ditë do shohim se çfarë do ndodhë në lidhje me stadiumin.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb