Këshilli i Ministrave ka miratuar ditën e djeshme programin mbi pagesën që kanë mundësi të marrin të gjithë personat e papunë që plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligj. “Përfitojnë të ardhura nga papunësia të gjithë personat e siguruar, të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara në nenin 53, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.”,-theksohet në vendimin e qeverisë.

Përfituesit do të kenë mundësinë të marrin 50% të pagës minimale në shkallë vendi, në rastin kur plotësojnë kriteret e iu miratohet kjo e ardhur. Ndërkaq, në vendim bëhet me dije se personat që ndërpresin aktivitetin si punëdhënës dhe të vetëpunësuar; largohen nga puna me dëshirën e tyre; apo plotësojnë kriteret për pension pleqërie, invaliditeti apo familjar, paaftësi të përkohshme në punë apo sëmundje profesionale, nuk mund të përfitojnë të ardhura nga papunësia.

Pagesa sipas kontributeve
Individët, të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara, u paguhet e ardhura e pagesës së papunësisë në varësi të periudhës së kontributit në sigurimet shoqërore. Kështu e përfitojnë 3 muaj pagesën të gjithë të papunët që kanë një periudhë kontributi, të paktën 1 vit si dhe 6 muaj personat me një periudhë kontributi të paktën 3 vjet. Ndërkohë individët që kanë një periudhë kontributive minimalisht 5 vjet, mund të përfitojnë nga pagesa e papunësisë për 9 muaj, e ata që kanë mbi 10 vjet kontribute e marrin këtë pagesë për plot 1 vit.

“Personat gra mbi 55 (pesëdhjetë e pesë) vjeç dhe burra mbi 60 vjeç përfitojnë pagesë papunësie 12 (dymbëdhjetë) muaj, me kusht që të kenë kontribuar 1 (një) vit në sigurimet shoqërore, për çdo rast përfitimi. Për rastet e paraqitjes së kërkesave të përsëritura për përfitim, llogaritja e periudhës së kontributeve fillon me përfitimin e fundit të pagesës të të ardhurave nga papunësia”,-nënvizohet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Ndërkaq, në këtë të fundit theksohet se individët, të cilët aplikojnë për të përfituar të ardhura nga papunësia, duhet të paraqesin dokumentacionin përkatës, i cili përfshin një kërkesë për aplikim; librezën e punës; një dokument identiteti (fotokopje); si dhe një vërtetim për ndjekjen e arsimit të mesëm, për fëmijët në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, dhe për personat që ndjekin arsimin e lartë apo janë të paaftë (KMCAP), deri në moshën 25 vjeç. Ndërkohë, vetë zyrat e punësimit duhet të sigurojnë për secilin aplikues një certifikatë të gjendjes familjare; vërtetim nga dega e tatim-taksave se personi nuk është subjekt i regjistruar pranë këtyre organeve; si dhe një vërtetim nga dega e tatim-taksave ose e sigurimeve shoqërore se personi ka derdhur kontribute për periudhën e kërkuar.

Shkrimin e plotë e gjeni sot në Gsh.al në linkun http://www.gsh.al/2018/03/22/pagesa-e-papunesise-ja-sa-muaj-e-perfitoni-ne-baze-te-kontributeve-te-derdhura/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb