Agjencia e Trajtimit të Pronës njofton se ka përfunduar procesi i shqyrtimit të disa kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që deri më tani përfitojnë kompensimin/shpërblimin e saj deri në masën 70% të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me Vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.

Janë shqyrtuar dokumentet për 148 pronarë që u është zonë toka nga ndërtimet pa leje. Sipas ATP-së, për kërkesat e depozituara në Agjencinë e Trajtimit të Pronës është shpërndarë kësti i parë, i dytë, i tretë, i katërt dhe i pestë (në total 70% të vlerës totale të miratuar me VKM-të përkatëse), në shumën e përgjithshme prej 80 434 154,87 lekë.

Në njoftimin për shtyp, Agjencia e Trajtimit të Pronave bën të ditur se procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar dhe në Vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar. Lista me përfituesit e këtij fondi bëhet publike nga “Gazeta Shqiptare”.

Ndërkohë, Agjencia e Trajtimit të Pronës njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre bankare në ditët në vazhdim.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: