Një pajisje e vogël që ngjitet në krahë mund të ndryshojë jetën e qindra mijëra njerëzve që vuajnë nga diabeti. Kjo pajisje mund t’u japë fund vuajtjeve të pacientëve nga shpimet e vazhdueshme të gishtave për të matur nivelet e sheqerit në gjak.

Ajo përmban një sensor në madhësinë e një monedhe që mat nivelet e sheqerit në gjak nga qelizat sipër lëkurës dhe i transmeton të dhënat në telefonin inteligjent, shkruan “shëndeti”.

Një studim i kryer tek më shumë se 50 mijë pacientë tregoi se kjo teknologji ka përfitime të konsiderueshme në shëndet.

Ka një vit që sistemi përdoret në Britani nga disa pacientë që vuajnë nga diabeti.

Qindra mijëra njerëz mund të përfitojnë nga pajisja nëse kompania Abbott arrin të negociojë me Shërbimin Kombëtar të Shëndetit për ta vënë atë në dispozicion të pacientëve falas.
pajisje_diabet

Pajisja është aktualisht në dispozicion për pacientët me diabet të tipit 1, një sëmundje autoimunitare që ndalon trupin të prodhojë vetë insulinë.

Kjo sëmundje shfaqet zakonisht në fëmijëri ose adoleshencë. Të gjithë të sëmurët me diabet të tipit 1 duhet të monitorojnë rregullisht nivelet e sheqerit në gjak për të kontrolluar nëse kanë nevojë për injektim të insulinës.

Pajisja mendohet të jetë sidomos e domosdoshme për fëmijët me diabet të tipit 1, duke qenë se prindërit e tyre do të kenë mundësi të mbledhin të dhëna nga pajisja duke i kaluar në telefon, edhe nëse fëmijët e tyre janë duke fjetur.

Pajisja mund të ndihmojë gjithashtu miliona pacientë me diabet të tipit 2, të cilët duhet të injektojnë vazhdimisht insulinë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: