NGA ERJOLA JATA*

TIRANË- Sapo çështja e të ashtuquajturës “pajisje përgjuese” u duk se do të kthehej në kryefjalën e debatit publik dhe politik në vend, News24 kërkoi të marrë një informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për datën dhe mënyrën e futjes së kësaj pajisjeje në Shqipëri.

News24 ka pyetur zyrtarisht autoritetet doganore për të mësuar nëse një pajisje e tillë ka hyrë në vend, kur ka ndodhur kjo, a është deklaruar, prej kujt, dhe nëse po, për çfarë qëllimi është deklaruar se do të përdorej.

Disa ditë pas depozitimit të kërkesës, drejtoria e doganave na kthen përgjigjen zyrtare. Drejtoria e Doganave sqaron në shkresën e saj zyrtare, se informacionin që disponon ua ka dhënë institucioneve kompetente që merren me hetimin, duke lënë të kuptohet se për shkak të natyrës delikate të çështjes, nuk mund t’i bëjë publike informacionet e saj.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është një nga hallkat e zinxhirit të së vërtetës mbi pajisjen enigmatike, pasi deklarimi ose jo i pajisjes në doganë, është një e dhënë që do të hidhte dritë mbi mënyrën dhe qëllimin e futjes së kësaj pajisjeje në Shqipëri.

Ndërkohë policia italiane ka sqaruar në prokurori se është ajo që e zotëron këtë pajisje, e cila sipas saj përdoret për trajnim dhe ka siguruar se me të nuk është kryer ndonjë përgjim, ndërsa dy ditë më parë në komisionin parlamentar të sigurisë, kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika tha se 2 muaj më parë kishte marrë informacionin qe pajisja ndodhej në Vlorë dhe se nuk ishte deklaruar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb