KORÇË- Kreu i PBDNJ Vangjel Dule i është rikthyer diskutimeve mbi marrëveshjen e detit dhe marrëdhëniet me Greqinë. Nga Mitropolia e Korçës, Dule ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se për 5 vite ka mbajtur peng marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë.

“Në këto 5 vitet e fundit janë bërë hapa prapa në marrëdhëniet me fqinjin tonë, të cilat kanë kosto jo të vogël. Marrëdhëniet midis dy vendeve nuk mund të mbahen peng për një kohë të gjatë, sepse ato janë solide dhe të shtrira në histori dhe të tashmen. Rama nuk mund të mbajë peng vendin në marrëdhëniet me Greqinë, vendi që është strumbullari i politikave euroatlantike të Europës Juglindore”, tha Dule. Sa i përket çështjes së detit, Dule vlerëson si të drejtë marrëveshjen e vitit 2009, duke shpresuar që negociatat të konkludojnë në një rezultat të drejtë dhe efektiv. Për kreun e PBDNJ, ndarja e detit duhet të bëhet sipas konventës respektive të Kombeve të Bashkuara, e cila parashikon çdo aspekt të procesit dhe është ratifikuar nga të dyja vendet.

Dule

Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e 2009, Dule thotë se e drejtë ndërkombëtare prevalon mbi të drejtën e vendit, përfshirë edhe Kushtetutën. “Greqia dhe Shqipëria janë të vonuara në arritjen e marrëveshjes”, shprehet Dule, i cili sjell në vëmendje edhe apelin e Junker në Tiranë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb