Historiani i njohur, Pëllumb Xhufi sqaroi dje, se deklarata e ministrit të Jashtëm grek Kotzias është një “kockë” që ai ka dashur t’ia hedhë opinionit grek që është “fanatikisht nacionalist, helenocentrik”.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ndërsa justifikon qeverinë shqiptare se në këtë fazë ajo duhet të ruajë konfidencialitetin, Xhufi shprehet: “Përcaktimi i kufirit detar në vijën e 12 miljeve është një cak i vendosur nga Konventa e OKB mbi detin, e ashtuquajtura Konventa e Montego Bay-t e vitit 1982, së cilës u detyrua t’i përmbahet edhe qeveria e Enver Hoxhës duke hequr dorë nga vendimi i saj i mëparshëm për ta vendosur në mënyrë të njëanshme vijën kufitare detare në gjerësinë e 16 miljeve”.

Zoti Xhufi, pas negociatave me dy raunde që u zhvilluan mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, duket se ka deklarata të ndryshme prej tyre. Të martën ministri i Jashtëm grek tha se kishin rënë dakord me palën shqiptare për të shtrirë në 12 milje ujërat territoriale, gjë që nuk pohohet konkretisht nga ministri Bushati? Ç’mendim keni krijuar nisur nga këto informacione që kemi?
Shikoni, negociatat shqiptaro-greke mbi disa çështje të pazgjidhura, ose të zgjidhura keq, deri tani janë zhvilluar në një frymë konfidencialiteti. Për rrjedhim, komunikimi me mediat e me publikun ka munguar ose ka qenë i pamjaftueshëm. Gjykoj se në këtë fazë të bisedimeve, maturia dhe indiskrecioni janë të detyruar. Sigurisht, z. Kotzias “e theu” kodin e heshtjes, duke avancuar ndonjë element të bisedimeve.
Dihet që qeveria e z. Cipras ka të bëjë me një opinion publik, që në një pjesë të mirë të tij është fanatikisht nacionalist, helenocentrik, ksenofob e antievropian. Faji i një sistemi shkollor e edukativ, që duke filluar nga viti 1821, ka gatuar gjenerata të tëra grekërish nacionalistë.
Kuptohet, që këtij lloj opinioni z. Kotzias ka dashur t’i japë paradhënie ndonjë “kockë”, që të pushojë së lehuri, duke i shitur atij si “fitore” të negociatorëve grekë dy sende që, në fakt, qeverisë shqiptare ia imponon e drejta ndërkombëtare.

Përcaktimi i kufirit detar në vijën e 12 miljeve është një cak i vendosur nga Konventa e OKB mbi detin, e ashtuquajtura Konventa e Montego Bay-t e vitit 1982, së cilës u detyrua t’i përmbahet edhe qeveria e Enver Hoxhës duke hequr dorë nga vendimi i saj i mëparshëm për ta vendosur në mënyrë të njëanshme vijën kufitare detare në gjerësinë e 16 miljeve. Sigurisht, ky rregull vlen aty ku dy vende ndahen nga një hapësirë e konsiderueshme detare. Por nuk vlen në rastet kur mes dy vendesh ekziston një hapësirë detare e vogël, siç është rasti i detit që ndan Korfuzin grek nga bregdeti shqiptar përballë tij. Më duket se, më në fund, ka folur drejt për këtë çështje edhe ish-komandanti i flotës sonë, kryenegociatori shqiptar i bisedimeve të dështuara të vitit 2008, z. Gerveni.

Pakti detar me Greqinë është një betejë të cilën Partia Socialiste e fitoi kur ishte në opozitë e tashmë po e rinegocion ndërsa është vetë në qeveri. Ç’mendim keni për këtë proces që ka nisur? A ju duket i rregullt? A duhet të kishte pasur konsultime me ekspertë më përpara?
Pikërisht, për arsyen që ju thatë, qeveria socialiste është e detyruar të jetë e matur në rinegocimin e paktit detar me Greqinë. Ajo ka në anën e saj një vendim të betonuar të Gjykatës Kushtetuese, që bazohet sa në ligjin shqiptar, aq edhe në ligjin ndërkombëtar.
Veç të tjerash duhet të përballet edhe me një faqe të ndritur të historisë saj, që e bën atë të ndryshme nga fryma esadiste që ka karakterizuar marrëdhëniet e qeverive të djathta shqiptare me fqinjët grekë në këta 100 vjet të shtetit shqiptar.
Unë guxoj ta theksoj me të gjithë forcën, se hedhja poshtë e paktit detar me Greqinë nga Gjykata Kushtetuese më 2009 i detyrohet ekskluzivisht Partisë Socialiste, që e denoncoi atë në Gjykatën Kushtetuese, dhe atyre 5 anëtarëve të asaj gjykate, që me profesionalizëm të lartë e me kurajë intelektuale e qytetare iu kundërvunë diktatit të qeverisë Berisha dhe ndryshe nga 4 kolegët e tyre, e mbi bazën e dispozitave të Kushtetutës sonë e të vetë Konventës së OKB, hodhën poshtë vendosmërisht qysh në votimin e parë atë marrëveshje antishqiptare.

Sigurisht, këtu është vendi të kujtoj të gjithë ata ekspertë e profesorë të shquar e patriotë, si Myslim Pashaj, Ksenofon Krisafi, Besnik Bakiu, Sabit Brokaj, Vladimir Beja, Arben Puto, Ago Nezha, si dhe shoqatat atdhetare “Labëria”, “Mallakastra” etj., e në mënyrë të veçantë gazetarin e ri Tedi Blushi, që ishin të parët që ngritën zërin dhe denoncuan atë marrëveshje. Kujtoj gjithashtu, se marrëveshja e detit u bë larg veshëve e syve të opinionit publik shqiptar dhe pa informuar për të partnerët tanë të rëndësishëm, duke iu bindur edhe në këtë pikë një kërkese eksplicite të qeverisë konservatore greke të z. Karamanlis.

Do ta lija të paplotësuar kuadrin e partive, shoqatave dhe individëve që u shquan në betejën për hedhjen poshtë të asaj marrëveshjeje, po të mos kujtoja, se atë kohë pozicioni i Partisë Socialiste kundër ujdisë Basha-Bakojanis u mbrojt me energji e dinjitet përpara Gjykatës Kushtetuese e në media të ndryshme, nga z. Saimir Tahiri.
Intervisten e plote mund ta lexoni ne Gsh.al: http://www.gsh.al/2018/02/02/pakti-detar-xhufi-kotzias-u-hodhi-nje-kocke-grekeve/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: