Shqipëria dhe Italia kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi në fushën e drejtësisë, i cili parshikon të sjellë rritje të bashkëpunimit sa i takon aspektit legjislativ dhe atij penal mes dy vendeve. Marrëveshja u nënshkrua sot nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe ministri Italian i Drejtësisë, Andrea Orlando.

BalkanWeb ka siguaruar të plotë marrëveshjen mes dy vendeve, e cila pritet të jetë ndër të tjera edhe një shtysë e fortë për të çuar përpara Reformën në Drejtësi në aspektin legjislativ dhe atë institucional.

“Memorandumi, që do nënshkruajmë sot nuk ka të bëjë vetëm me dy vendet tona, por ka të bëjë edhe me integrimin e Shqipërisë drejt BE dhe vëmendjen që ka Italia për vendet e Ballkanit. Ne duam të fillojmë menjëherë, implementimin e marrëveshjes, ekzekutimin e dënimeve penale. Brenda më pak se një muaji kemi bërë një punë të jashtëzakonshme bashkëpunimi”, u shpreh ministri italian në konferencën e përbashkët.

ÇFARË PËRMBAN MEMORANDUMI I BASHKËPUNIMIT MES MINISTRISË SË DREJTËSISË ITALIANE DHE ASAJ SHQIPTARE
Ministria e Drejtësisë e Republikës së Italisë dhe Ministria e Drejtësisë e Republikës së Shqipërisë, në vijim të quajtura “Palët”;

Duke marrë në konsideratë marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe vazhdimësinë e lidhjeve që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve,

Duke njohur rëndësinë e aktiviteteve të bashkëpunimit të ndërmarra tashmë midis Palëve mbi bazën e Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar në Romë më 23 prill 2002 dhe Protokollit të Mirëkuptimit të firmosur në Tiranë më 15 shkurt 2017,

Të bindur për dobinë dhe avantazhet reciproke që rrjedhin për të dyja Palët nga krijimi në vitin 2016 i pozicioneve të Magjistratëve të ndërlidhjes ndërmjet dy vendeve,

Me dëshirën për të forcuar më tej bashkëpunimin ndërmjet Palëve, në fushën e drejtësisë dhe të së drejtës dhe duke gjykuar për këtë qëllim të nevojshëm inkuadrimit e tij në kuadrin e rrugëtimit drejt integrimit evropian të ndërmarrë nga Republika e Shqipërisë, të cilin Republika Italiane synon ta shoqërojë e ta mbështesë,

Duke njohur rëndësinë e përcaktimit, për arritjen e këtij objektivi, të një kuadri të përgjithshëm referues të përshtatshëm, që të lejojë një shkëmbim efikas përvojash, të dhënash dhe njohurish ndërmjet Palëve, me qëllim mbështetjen, favorizimin dhe konsolidimin e veprimtarive reformuese të filluara nga Republika e Shqipërisë në sektorin e drejtësisë,

Duke e konsideruar gjithashtu thelbësor faktin, që kuadri i përgjithshëm i bashkëpunimit ndërmjet Palëve të marrë në konsideratë dhe nxitë kontributin që mund të ofrohet, për të njëjtin qëllim, nga aktorë të tjerë institucionalë në fushën e drejtësisë së dy vendeve, në respekt të plotë të sferave përkatëse të kompetencës dhe autonomisë,

Duke njohur për këtë rëndësinë e bashkëpunimit të filluar tashmë nga Drejtoria Kombëtare Antimafia e Antiterrorizëm me Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë, në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar në vitin 2014,

Kanë rënë dakord për sa më poshtë:

Neni 1

Përmbajtja e bashkëpunimit

Palët do të zhvillojnë bashkëpunimin në fushën e legjislacionit, të administrimit të drejtësisë, të bashkëpunimit gjyqësor, të funksionimit të institucioneve gjyqësore, të inspektimit gjyqësor, të mbikëqyrjes së urdhrave profesionalë, të ekzekutimit të dënimit, të administratës së burgjeve, të trajnimit të personelit gjyqësor e të burgjeve, si dhe në fusha të tjera juridike që janë kompetencë e tyre.

Për këtë qëllim, angazhohen:
a) të favorizojnë shkëmbimin e praktikave të mira në hartimin e legjislacionit, si dhe të materialeve e dokumenteve, që kanë lidhje me veprimtarinë në kompetencë të tyre, të nevojshme për të siguruar funksionimin dhe eficiencën e sistemeve të drejtësisë në përputhje me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian dhe të organizatave ndërkombëtare, në të cilat bëjnë pjesë të dyja vendet,

b) të vënë në jetë menjëherë çdo përforcim dhe përmirësim të mundshëm të instrumenteve dhe praktikave të bashkëpunimit gjyqësor, që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre, duke marrë parasysh edhe praktikat më efikase të dala nga implementimi i Konventave ndërkombëtare dhe të acquis të Bashkimit Evropian.

Në këtë kuadër, do t’u jepet prioritet, sektorëve të mëposhtëm:
– bashkëpunimit dhe ndihmës gjyqësore në luftën kundër krimit të organizuar transnacional dhe veprave të tjera të lidhura me këtë fenomen, terrorizmit ndërkombëtar, pastrimit të kapitaleve të paligjshme dhe trafikut të qenieve njerëzore,

– përcaktimit të mjeteve dhe mënyrave të përshtatshme të bashkëpunimit për zbulimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e sendeve të akumuluara në mënyrë të paligjshme,

– bashkëpunimit në fushën e transferimit të personave të dënuar drejt vendeve të tyre të origjinës, me qëllim realizimin konkret të qëllimeve me karakter humanitar që përmban Konventa mbi transferimin e personave të dënuar e nënshkruar në Strasburg në vitin 1983 dhe Marrëveshja dypalëshe shtesë e kësaj të fundit, nënshkruar në Romë në vitin 2002, të ratifikuara nga të dyja vendet;

– tejkalimit të problematikës në procedurat e ekzekutimit, në territorin e njërit prej dy vendeve, të dënimeve të dhëna në vendin tjetër,

c) të favorizojnë shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira në modernizimin e administrimit të procedimeve gjyqësore edhe nëpërmjet inovacionit teknologjik dhe dixhitalizimit;

d) të favorizojnë shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira në sektorin e burgjeve, duke i kushtuar kujdes të veçantë administrimit dhe trajtimit të të burgosurve, edhe me rrezik të lartë, sigurisë së institucioneve të ekzekutimit të veprave penale, programeve brenda këtyre institucioneve për parandalimin e radikalizimit të dhunshëm dhe deradikalizimin si dhe nxitjen e riintegrimit në shoqëri të të dënuarve;

e) të favorizojnë bashkëpunimin në sektorin e formimit të personelit të burgjeve, edhe nëpërmjet organizimit të kurseve të përbashkëta të formimit, në përpektivën e ngritjes nga Republika e Shqipërisë të një shkolle me kurse të përhershme për trajnimin fillestar dhe të vazhdueshëm të personelit shqiptare të burgjeve;

f) të favorizojnë shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira që synojnë nxitjen e formave të ekzekutimit të dënimeve alternative me burgim dhe fuqizimin e drejtësisë në komunitet:

g) të favorizojnë shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira në fushën e drejtësisë për të mitur, duke i kushtuar kujdes të veçantë rregullimit dhe organizimit të qendrave për drejtësinë për të mitur, trajnimin e operatorëve dhe përmirësimin progresiv të kushteve të ekzekutimit të vendimeve penale për të miturit:

h) të favorizojnë shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira në ushtrimin e kompetencave të inspektimit:

i) të favorizojnë shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira në veprimtaritë e mbikëqyrjes së urdhrave profesionalë dhe rregullimit të regjistrave profesionalë.

Neni 2
Format e bashkëpunimit dhe pikat e kontaktit

Palët do të dakordësojnë format më efikase të bashkëpunimit, përfshirë organizimin e grupeve të punës dhe kurseve të përbashkëta të trajnimit.

Palët do të verifikojnë mundësinë për të kontribuar në përmirësimin e kushteve të vuajtjes së dënimit në institucionet penitenciare të Republikës së Shqipërisë, edhe përmes

bashkëpunimit për ndërtimin e një strukture penitenciare që të lehtësojë zbatimin e konventave dhe marrëveshjeve për transferimin drejt Republikës së Shqipërisë të shtetasve shqiptarë që vuajnë dënimin në Itali. Në përfundim të këtij verifikimi, do të mund të vijohet me formalizimin e një marrëveshjeje të posaçme.

Për të njëjtin qëllim, palët do të verifikojnë, gjithashtu, mundësinë, në kuadrin e burimeve të disponueshme nga administrata italiane e burgjeve, për të kontribuar me mjete dhe automjete të përshtatshme dhe funksionale për eficiencën logjistike të sistemit penitenciar shqiptar.

Palët do të hartojnë, në mënyrë të dakordësuar mes tyre, një program vjetor të aktiviteteve për zbatimin e këtij Memorandumi Mirëkuptimi dhe do të monitorojnë efikasitetin e tij, edhe me synimin për të dakordësuar ndryshime të mundshme të tij ose masa të reja që kanë për qëllim rritjen e efikasitetit të bashkëpunimit për përmbushjen e qëllimeve të vetë Memorandumit.

Secila nga Palët do të caktojë një pikë kontakti për zbatimin e këtij Memorandumi Mirëkuptimi.

Neni 3
Koordinimi me institucionet e tjera të sistemit të drejtësisë

Palët angazhohen të nxisin koordinimin e veprimtarive që janë në kompetencën e tyre me ato të institucioneve të tjera të sistemit të drejtësisë të të dy vendeve, duke respektuar plotësisht pavarësinë e tyre, për të mbështetur krijimin e sinergjive institucionale dhe një qasjeje publike të integruar për shoqërimin e Republikës së Shqipërisë në rrugën e ndërmarrë drejt integrimit evropian.

Për këtë qëllim, angazhohen të favorizojnë:

– shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira dhe mjeteve mes Gjykatave përkatëse të Kasacionit dhe Prokurorive të Përgjithshme pranë Gjykatave të Kasacionit, duke përfshirë Drejtorinë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm;

– shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira dhe mjeteve midis Këshillit të Lartë Italian të Magjistraturës dhe Këshillave Shqiptarë të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve;

– shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira mes Shkollave të Larta përkatëse të Magjistraturës;

– shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira mes urdhrave profesionalë të avokatëve, noterëve dhe kontabilistëve;

– shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira në fushën e parandalimit të korrupsionit me Autoritetin Kombëtar Antikorrupsion.

Neni 4
Fusha e efikasitetit

Dispozitat e këtij Memorandumi Mirëkuptimi do të zbatohen në bazë të legjislacioneve kombëtare përkatëse dhe nuk do të cënojnë detyrimet e palëve që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare dhe, për sa i përket Republikës Italiane, nga legjislacioni i Bashkimit Evropian.

Neni 5
Hyrja në fuqi, ndryshimi dhe përfundimi i efekteve

Ky Memorandum Mirëkuptimi do të hyjë në fuqi nga data e nënshkrimit dhe do të qëndrojë në fuqi për një kohë të pacaktuar, përveç rastit kur njëra nga palët njofton tjetrën rreth synimit për të përfunduar Memorandumin e Mirëkuptimit të paktën gjashtë muaj përpara.

Ky Memorandum Mirëkuptimi mund të ndryshohet ose plotësohet në çdo kohë në bazë të një marrëveshjeje me shkrim nga Palët.

Lidhur në Tiranë, më 12 dhjetor 2017, në dy kopje origjinale, secila në gjuhën italiane dhe shqipe, me dy tekste me vlerë të njëjtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: