GJIROKASTËR – Banorët e pallatit 8-katësh në qytetin e Gjirokastrës që rrezikoi shembjen pas rrëshqitjeve të dheut nga moti i keq kanë dalë në protestë.

Banorët po protestojnë për mungesën e marrjes së masave. Sipas tyre, prania e baltës ka shkaktuar lagështi. Banorët thonë se ashkush nuk u ka ofruar një zgjidhje korrekte.

“Nuk jetohet në këto banesa me baltë e lagështirë. Të merren masa urgjentisht, pasi prania e baltës ka shkaktuar lagështi,” shprehen ata.

Ditë më parë nisi aksioni për heqjen e baltës nga pallati 8-katësh në lagjen ‘Kodra e Shtufit’ në Gjirokastër, pas rrëshqitjes së një masivi dheu që përfshiu 3 katet e para të godinës.

Në këtë operacion, të ndërmarrë nga Bashkia e qytetit dhe Prefektura, është ngarkuar ushtria, e cila do të heqë dherat nga pallati, në të cilin u shkaktuan shumë dëme materiale. Ndonëse ky pallat rrezikon të shembet për shkak të rrëshqitjeve të dherave, banorët kanë kërkuar që të rikthehen në banesat e tyre, pavarësisht problemit ende evident.

Prefekti Gjirokastrës Astrit Aliaj në një prononcim për mediat i bëri thirrje banorëve që mos të kthehen në banesa edhe për disa ditë. “Do të punojmë për largimin e baltës nga pallati. I rëndësishëm drenazhimi i ujërave. Banorët të qëndrojnë jashtë banesave edhe për disa ditë. Banesat më të dëmtuara do të dëmshpërblehen 100%,” u shpreh ai.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: