NGA BRIKENA METAJ

GJIROKASTER– Bashkia e Gjirokastrës nisi punën për normalizimin e situatës në lagjen “Kodra e Shtufit”, aty ku rrëshqitja e dherave rrezikoi pallatin 8-katësh duke çarë dhe asfaltin e rrugës. Pas protestave të vazhdueshme të banorëve ka nisur puna për zbatimin e rekomandimeve nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile.

Faza e parë e ndërhyrjeve do të konsistojë në kryerjen e shpimeve gjeologjike dhe analizave laboratorike. Një sondë e pozicionuar në rrugën e shkatërruar automobilistike si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave po kryen matjet e thellësisë së tokës në varësi të së cilës do të vendoset për ndërhyrjen e radhës.

Ndërkohë situata mbetet e pandryshuar për banorët e pallatit të cilët janë rikthyer në banesat e tyre.

Banorët e katit të tretë dhe të katërt që janë më të dëmtuarit, po punojnë për largimin e baltës.

Ata kanë ngritur edhe shqetësimin e lagështisë dhe çarjes së mureve në pallat si pasojë e masivit të dheut që ka mbuluar katër katet e para të tij. Punimet për rehabilitimin e zonës pritet të zgjasin disa muaj, ndërsa largimi i baltës nga banesat është hapi përfundimtar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb