TIRANE – Kryetari i grupit parlamentar të PD-së Edi Paloka ka dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda sot, rreth orës 18:25, lidhur me akuzat e deputetit Tom Doshi ndaj kreut të Kuvendit.

Dëshmia e Palokës, si person që kishte dijeni për çështjen, zgjati një orë dhe sapo doli, ai deklaroi për mediat se “kjo histori po vjen era mafie. Kemi parë dëshmitarë që zhduken, dëshmitarë që vijnë, dëshmitarë që ndërrojnë dëshmitë e tyre, nën presion apo jo. Së fundmi, pamë edhe që ai që është një ndër të akuzuarit kryesorë, shkoi dhe u mor në Gjermani nga një deputet i LSI-së dhe u soll të dëshmojë në Shqipëri”

DEKLARATA E Z. EDI PALOKA PAS DHENIES SE DESHMISE

Z. Paloka, çfarë dëshmuat në Prokurori?

Atë që thashë në Prokurori do t’ua lemë prokurorëve nëse duan ta bëjnë publike në momentin e duhur, pasi është sekret hetimi, por ajo që dua të them dhe që ju e shihni përditë, është se kjo çështje, sa vjen e më shumë, po vjen erë e keqe. Erë e keqe që del vetëm nga mazhoranca. Përpjekje të hapura dhe të dukshme për ta fshehur. Ne i kemi kërkuar Ilir Metës, ditën e parë, dorëheqjen, pikërisht për t’i dhënë mundësi drejtësisë që të funksionojë lirshëm dhe në mënyrë të pavarur, pa qënë nën presionin e pushtetit të Kryetarit të Kuvendit, gjë që nuk ka ndodhur. Ka ndodhur e kundërta. Kemi parë dëshmitarë që zhduken, dëshmitarë që vijnë, dëshmitarë që ndërrojnë dëshmitë e tyre, nën presion apo jo. Së fundmi, pamë edhe që ai që është një ndër të akuzuarit kryesorë, shkoi dhe u mor në Gjermani nga një deputet i LSI-së dhe u soll të dëshmojë në Shqipëri. Pra, edhe njëherë e them, duket se të gjitha ngjarjet tregojnë se kjo histori po vjen era mafie.

Z.Paloka, emri juaj u thirr si person që ka dijeni për këtë çështje. A e dhatë ju emrin e personit prej nga kishit marrë informacion për çështjen “Doshi”?

Për informacionet, thashë se janë të gjitha në Prokurori.

Përse nuk e denoncuat rastit kur morët vesh se kishte një veprimtari kriminale?

Të gjitha këto i ka mësuar Prokuroria.

Po për akuzat ndaj mazhorancës për presion mbi Prokurorinë?

Faktet janë të përditshme dhe publike. Përderisa Ilir Meta vazhdon të rrijë kryetar parlamenti, Edi Rama vazhdon të rrijë Kryeministër, Saimir Tahiri – Ministër i Brendshëm, të gjithë të akuzuar apo në dijeni të këtyre fakteve, si njerëz që nuk kanë vepruar siç duhet të vepronin edhe në bazë të ligjit, edhe në bazë të Kodit të Procedurave Penale, të gjithë këta njerëz sot vazhdojnë të bëjnë presion publikisht para dyerve të prokurorisë. Keni dëgjuar? Ka dalë Rama, ka dalë Meta e ka thënë se kjo çështje është e mbyllur. Pra, ndërkohë që Prokuroria vazhdon të hetojë, përditë, në mënyrë intensive, ata kanë dhënë verdiktet. Ka dalë Kryeministri këtu e ka thënë “çështja është e mbyllur, është lojë, është telenovelë, është qesharake etj.” Ky nuk ju duke presion? Presion më i hapur…

Çfarë bindje keni për këtë histori?

Nuk ka rëndësi bindja, as e imja, as e jona. Ajo që ne kemi bindje është se kjo mazhorancë është e implikuar rëndë në këtë çështje në shumë forma. Të paktën, me rastin e 6 muajve të fshehjes, këta, edhe sikur historia të mos dalë e vërtetë – gjë që unë e kam me dyshim – sepse nëse nuk do të ishte e vërtetë, pse do të duhej të fshiheshin, pse do të duhej ta manipulonin. Megjithatë, nuk marrë përsipër të them është apo nuk është e vërtetë. Ajo që duhet qartazi dhe është tërësisht e vërtetë është se kjo kupolë e mafies, që është edhe kupolë e shtetit fatkeqësisht, 6 muaj e ka fshehur dhe sot e kësaj dite po vazhdon ta manipulojë.

A do të paraqiteni sërish në prokurori nëse ju thërrasin?

Nëse do të më thërrasin, patjetër që do të vij, po sa për dijeni, dëshmia ime ishte formale.

PALOKA, PERSONI QE INFORMOI BERISHEN PER DYSHIMET E DOSHIT PER ATENTAT

Prokuroria vendosi të thërrasë Palokën për të dëshmuar lidhur me pretendimet e deputetit Doshi, për organizimin e një atentati ndaj tij, pas dëshmisë së ish-kryeministrit Berisha, i cili u tha prokurorëve se për këtë çështje ishte informuar nga Paloka 3 muaj më parë.

Po gjatë pasdites janë paraqitur tek Krimet e Rënda edhe kryetari i komisionit të Sigurisë, Spartak Braho dhe kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili. Deri tani një numër i madh politikanësh i janë drejtuarit organit të akuzës për të dëshmuar për të njëjtën çështje, atë të akuzave të ngritura nga deputeti Tom Doshi.

(ar.sh/m.k/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: