ITALI– “Personat që bëjnë propagandën kundër emigrantëve janë duke mbjellë dhunë, diskriminim racial dhe ksenofobi”, deklaroi sot papa Françesku duke bërë thirrje gjithashtu për arritjen e një marrëveshjeje globale mbi mbrojtjen e refugjatëve.

Mesazhi i papa Françeskut për të zgjidhur çështjen e refugjatëve vjen disa ditë përpara Ditës Botërore të Paqes, që Kisha Katolike e feston në Ditën e Vitit të Ri.

Papa Françesku ka bërë thirrje vazhdimisht për të drejtat e emigrantëve dhe personave të tjerë të varfër, duke kërkuar përkrahjen dhe ndihmën e autoriteteve përkatëse.

“Ata që, për arsye politike mund të frikësohen nga emigrantët, në vend të ndërtimit të paqes janë duke mbjellë dhunë, diskriminim racial dhe ksenofobi, të cilat janë çështjet më me interes për të gjithë ata që shqetësohen për sigurinë e çdo qenieje njerëzore”, tha ai.

“Të gjitha të dhënat e disponueshme për bashkësinë ndërkombëtare kanë treguar se migrimi global do të vazhdojë edhe në të ardhmen, disa e konsiderojnë këtë si një kërcënim, nga ana ime, iu kërkoj ta shihni si një mundësi për të ndërtuar paqen”, shtoi papa Françesku.

Sipas tij, OKB-ja duhet të hartojë dhe miratojë dy marrëveshje globale, një për migracionin e sigurt dhe të rregullt dhe tjetrën për refugjatët që do të ndihmonte në krijimin e një strukture mbi propozimet e politikave dhe masave praktike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: