VLORE – Arrestimi nuk ka qenë një befasi për kryebashkiakun Shpëtim Gjika. Burime të besuara dje pohuan se ai ka qenë në dijeni të hetimit të nisur ndaj tij që para një viti. Gjithsesi, ditën e djeshme ai e ka nisur normalisht. Mësohet se mëngjesin e djeshëm, Gjika ka pirë kafe me disa miq të tij në lokalin “Saint Tropez”, që ndodhet në zonën e Ujit të Ftohtë dhe që është në pronësi të kryebashkiakut të Selenicës.
Më pas ai është larguar dhe në mesditë ka drekuar së bashku me avokatin e tij, Ardian Leka dhe zëvendësministrin e Drejtësisë, Arben Isaraj. Pasi ka mbaruar drekën, kreu i Bashkisë së Vlorës ka shkuar në banesën e tij ku dhe u arrestua. Burime të sigurta për “Gazeta Shqiptare”, dje bënë me dije se tri ditë më parë, dy prokurorë kanë trokitur te zyra e kryebashkiakut Gjika, por ky i fundit u ka mbyllur derën.
Sipas burimeve të mësipërme, prokurorët kanë shkuar ta takojnë kryebashkiakun për çështjen për të cilën ai po hetohej. Menjëherë pas arrestimit, Gjika është dërguar në qelitë e paraburgimit në Komisariatin e Policisë së Vlorës. Vetëm pas 5 orësh qëndrimi në qeli, 52-vjeçari është dërguar në Spitalin Rajonal të Vlorës për shkak të problemeve shëndetësore. Shpëtim Gjika është shtruar në reanimacionin e këtij spitali, pasi ka pasur dhimbje të forta në gjoks dhe tension të lartë.
ARRESTIMI I GJIKES
Abuzimet me lejet e ndërtimit kanë çuar në pranga kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Ai është arrestuar pasditen e djeshme në banesën e tij, pasi akuzohet se ka dhënë leje të jashtëligjshme për një pallat 11-katësh në qytetin bregdetar. Ndërkohë, ka përfunduar në pranga një zyrtare e Bashkisë së Vlorës si dhe një biznesmen. Bëhet fjalë për Doriana Sulajn, drejtore e Drejtorisë së Planifikimit të Territorit në këtë bashki dhe biznesmenin e ndërtimit, Artur Haxhi. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Vlorës, bënë me dije se kryebashkiaku Gjika dhe vartësja e tij Sulaj akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim i dokumenteve”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, dhe “Ndërtim i paligjshëm”, të kryera në bashkëpunim. Dy muaj më parë dhe konkretisht më 27 nëntor të vitit që shkoi, Gjykata e Tiranës e shpalli 52-vjeçarin Gjika të pafajshëm për akuzën e falsifikimit të lejeve të ndërtimit të dy godinave: njëra në lagjen “Pavarësia” dhe tjetra në bulevardin qendror Vlorë-Skelë, në vendin e quajtur “Tre Rasat”. Ndërsa, biznesmeni 30-vjeçar Artur Haxhi ose siç i thërrasin ndryshe “Turi i vogël”, akuzohet për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Mashtrim”, të kryera në bashkëpunim. Gjykata e Shkallës së Parë të Vlorës ka pranuar kërkesën e prokurorisë së këtij rrethi dhe ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj tri personave në fjalë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: