NGA MOIKOM ZEQO

BRITMA E FLUTURËS
Tu es la feuille hypnotisée dans lespace,
A l’approche de l’Invisible Serpent.
René Char

Ti je për gjethen e hipnotizuar në hapësirë
Sapo afrohet Gjarpri i Padukshëm.
Rene Shar

A është realiteti, vetëm ai, që ne shohim? Kush i hap dyert misterioze të së Pamundurës? A e perceptojmë dot infinitin? Koncepti i zeros është konvencional, i infinitit jo! A jemi rimishërime dhe zgjatime të paraardhësve tanë? Apo të pasardhësve, në sens të kundërt? Shikimi i sipërfaqshëm i realitetit është një dogmë. Homeri, Edgar Allen Po, Whitmani, De Rada, Arthur Rimaut, Migjeni, ekzistonin në të vërtetë, – tani ekzistojnë – vetëm metafizikisht.

Çdo emër, apo folje është si një makinë e imagjinatës. Ç’realitet i shumëfishtë! Dhe i pafund! A mund të flitet për anën e trilluar të kohës? Po ç’është ajo e patrilluara? Koha është shumë më tepër se sa kohë! Po kush e kupton këtë? Në poezi (në art) Koha krijohet në përjetësi, si një amëshim i dytë.

Metaforat semaforike janë si sinjale hekurudhore stili. Por, poezia përsëri s’kufizohet as nga fuqia tautologjike e analogjive, as nga dinakëria e programuar e alegorive. Poezia është sa një “mundus subterraneus”, aq edhe një ABC e së parregulltës dhe strukturim i kaotikes. Poezia krijon qytetërimin në pikëpamje algjebrike shpirtërore! E shkatërron kultin e verbalizmit, krijon një gjuhë të re, vetjake, brenda gjuhës kolektive.

Guxim i intelektit dhe sinkretizëm i shqisave, sui generis! Dikur, Mallarmé ëndërronte për Librin Universal, si një krijim orfeik. Libri (“i të gjithë librave”) i Mallarme-së nuk përfundoi asnjëherë. Ky “prince des poetes”, që desh të virtualizohej si “Hamlet i Ri” s’e çoi gjer në fund luftën kolosale kundër “rastësisë” së frymëzimit spontan për të krijuar një sistem “më të epërm” lirik të universit.

Sipas Gustav Rene Hocke-s, ky kryelibër onirik, me “alphabetum divinum”, gati si “Dhjata sekrete e engjëjve” qe më tepër një dështim madhështor.

Duke lexuar këto kohët e fundit librat e Viktor Hlebnikovit (1885-1922), poet rus i hatashëm dhe futurist, (i harruar), kupton përpjekjen e tij për “gjuhën transcendentale” paradigmë, që nënkupton “kombinimet e lira si lojë e zërit, përtej vetë fjalëve”. Hlebnikov hulumton semantikat e nivelit të magjepsjes kuptimore dhe Solomonisë, duke zbuluar “mençuri të çuditshme” edhe tek fonemat.

Këtu nis koha ciklike, labirintike dhe laboratorike, si dhe lindja e personazhit të shumëfishtë, ripërtëritës.

“what is it that can tell me Who?” (“Kush është ai, që më thotë, se kush jam unë?”) – ka thënë Shekspiri! Në paraqitjen poetike të botës gnosa mbështetet tek ideja se ka një pamjaftueshmëri të një shkence elementare të germave. Të kërkosh lirinë në sferën e estetikës, pa njohur strukturat e parregullta, do të thotë t’u nënshtrohesh proceseve thjeshtëzuese të një shoqërie të teknicizuar. Pra, të bëhesh viktimë e një “mode”, ashtu si shtresat e gjëra bien viktimë e ideologjive totalitare. Çdo krijim kërkon origjinalitet të patjetërsueshëm. Metafizika e poezisë kërkon viset, ku s’ka shkelur askush të intelektit, ose vështirë të arritshme.

E ashtuquajtura poezi e epigoneve është si tregtia e rrobave të përdorura, trille të retorikave boshe. Ah, Odisea Eliti! Patjetër, që trillon, por poezia ime është tjetër gjë. Në kronologjinë inerte (formale) 1999-2004 sinopset e mia poetike, të bashkëngjitura me fraza muzikore – që unë i di përmendësh, të Sebastian Bachut dhe Bethovenit – formojnë bashkësi metaforike, sinkretike, sipas parimit pindarik, (që e mrekullonte edhe De Radën). Në shekullin XII poeti Leonitus shkroi poezi në latinisht – me vargje që u njohën si “Vargje leoniane”.

Vargjet leoniane përbëhen nga hekzametria, ose hekzametra dhe pentametra, në të cilat rrokja e fundit rimon me rrokjen që gjendet para cezurës në mes të vargut. Po në shekullin XII, kalorësi princ, Robert Monteforti, nëndukë i normanëve, vdes në lulen e rinisë, në Ballsh të Mallakastrës dhe në lapidarin mbivarror të tij shkruhet në latinisht një epigramë me vargje leoniane, si një mbartje e një shpikje stilistike, që me brigjet e Albionit britanik në shkëmbinjtë e Arbërisë. Unë e kam përkthyer në shqip këtë poezi “unicum”.

Ky fakt është gati epifanik. Libri im, përpara lexuesve (sidomos të atyre, që do të vijnë) shpresoj se është gjithashtu një shpikje, që do të doja ta shpërndaja në hartat letrare të botës. Por e di se të gjithëve na torturon, na mund absolutja! Të ngulmosh për poezinë e pangjashme është të galvanizosh një vetëdije. Përtej të tëra disfatave, vetëdija të paktën s’të braktis. Estetikat dekorative thyhen e bëhen pluhur.

Kriptogramet me porta të mbyllura janë burgje mendore. Dhe jam i bindur, krejt i përkorë se poeti s’është kamerier i fshehtë i Zotit. Është më tepër: një ikonoklast, shpesh i pabesueshëm, akoma më keq, edhe i pakuptueshëm, për të cilin pakuptimësia është urrejtje dhe jo dashuri.

Poeti mbijeton duke u intimizuar me vdekjen. Ah, Jimi Morrison: Before I sink into dhe Big Sleep I want to hear, I want to hear The scream of the butterfly! Këto vargje epitafikë, por kuptohet, para vdekjes, thonë në shqip: Përpara se të zhytem në Gjumin e Madh Dua të dëgjoj, dua të dëgjoj Britmën e fluturës!

Tiranë, XIX.I.MMXVII

dgd
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: