RUSI- Ish-oficeri ushtarak rus, Stanislav Petrov, i cili vlerësohet si personi që ka parandaluar luftën bërthamore të Rusisë me Shtetet e Bashkuara, ka vdekur në moshën 77-vjeçare

Lajmin e ka konfirmuar djali i tij, për agjencinë AFP.

Petrov, tregimi i jashtëzakonshëm i të cilit ishte paraqitur në dokumentarin “Njeriu që e Shpëtoi Botën”, ka fituar disa çmime ndërkombëtare, si dhe është nderuar edhe në Kombet e Bashkuara.

Ai ka jetuar në një qytet të vogël afër Moskës, ku edhe ka vdekur më 19 maj, por kjo gjë ka kaluar në heshtje, dhe për këtë është raportuar më vonë, kur një mik i tij gjerman ka shkruar një njoftim në mediat sociale për vdekjen e tij.

Në muajin shtator të vitit 1983, Petrov ishte oficer në detyrë në komandën sekrete në jug të Moskës, në momentin kur ata u sinjalizuan se Shtetet e Bashkuara mund të kishin lëshuar një raketë ndërkontinetale balistike.

Oficeri, që kishte vetëm pak minuta kohë për të marrë vendim, duke qenë se nuk ishte i sigurt për informacionet që arrinin, e ka injoruar alarmin, duke e vlerësuar atë si të rrejshëm.

Por, nëse ai do t’u kishte treguar komandantëve të tij për një sulm bërthamor të kësaj natyre natyre nga ana e Shteteve të Bashkuara, atëherë udhëheqja sovjetike, që ishte e përfshirë në garën e armatimit me Uashingtonin, do të urdhëronte një sulm hakmarrës.

Stanislav Petrov, në atë kohë 44-vjeçar me gradë nënkolonel, raportoi për defekt në sistem dhe hetimet e zhvilluara për këtë incident, dëshmuan se ai ka pasur të drejtë, raporton agjencia AFP nga Moska.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb