NGA FATMIRA NIKOLLI

TIRANE- Unë mendoj se ka vetëm një formë të madhështisë për njeriun. Në qoftë se një njeri mundet të ngushtojë hendekun mes jetës dhe vdekjes. Nënkuptoj me këtë, se ai mundet të jetojë edhe pasi ka vdekur, e atëherë, ndoshta ai do të ishte një njeri i madh. Për mua i vetmi sukses, e vetmja madhështi, është pavdekësia”, kjo frazë e aktorit amerikan James Dean, ka qenë një ndër postimet e fundit të aktorit Bujar Lako në “Facebook”, në datën 20 dhjetor. Vetëm pak ditë para ndarjes nga jeta, ai duket sikur e ka parandjerë fundin.

Megjithatë, sytë e tij, ‘nuk duken’ të trembur si tek “Kthimi i ushtrisë së vdekur” të Anagnostit ku Bujo sheh sytë të perënduar në një kokë pa trup që i afrohet dheut të varrit. Është e tij! Ndërsa një foto e shkrepur në lagjen latine të Parisit, ndër më të veçantat e kryeqytetit francez, ka shënuar kontaktin e fundit të aktorit me botën virtuale, mbasi më herët kish ndarë me miqtë këngët “Figlio del dolore” të Celentanos e Nadës e “Amami, Amami” të po atyre.

LAMTUMIRA
Aktori i mirënjohur është përcjellë dje për në banesën e fundit në Sharrë. Homazhet pakminutëshe u mbajtën në shtëpinë e tij pranë rrugës “Myslym Shyri” siç kish dëshiruar aktori. Ai nuk kish dashur të përcillej nga teatri po nga shtëpia ku u nda nga jeta, të hënën në orën 8:30 të mëngjesit. Bujar Lako, aktori i madh i skenës dhe kinematografisë shqiptare, që u nda nga jeta dje në moshën 70-vjeçare, dhe prehet tanimë në varrezat e Sharrës. Në varrimin e tij, morën pjesë kolegë, miq e të afërm, e mes të tjerash edhe kryeministri Edi Rama. Ikja e tij, qe krejt e papritur pasi Bujo nuk vuante nga asnjë sëmundje, dhe u shua për shkak të një ataku kardiak. Energjik, vital e plot projekte ai pritej të ishte në skenë vitin e ardhshëm.

Duke falënderuar të gjithë ata që i kanë shprehur ngushëllimet për vdekjen e aktorit të njohur Bujar Lako, përmes një postimi në rrjetet sociale, i biri, këngëtari i njohur Bojken Lako shkruante se ndihej i prekur nga mbështetja që njerëzit i kanë dhënë në këto ditë të vështira për të, siç është ndarja nga jeta e të atit. “Miq të Bujos, dashamirës, të afërm e shokë, jemi të prekur pa masë e na keni dhënë mbështetje e emocion të fortë, me ndjeshmërinë që treguat në këto ditë të vështira. Ju falënderojmë shumë”, shkruante Bojkeni. Ai lajmëronte se pas varrimit, familja pret vizita të mërkurë dhe të enjte në një hotel në Tiranë. Aktori e nisi karrierën në Teatrin Kombëtar pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973 dhe me pas u bë shumë shpjet pjesë filmave “Në fillim të verës” i G. Erebarës dhe “Përballimi” i V. Gjikës.

Më tej ai realizoi një sërë figurash në rreth tridhjetë filma ku spikasin “Gjeneral gramafoni” V. Gjika, “Udha e shkronjave” V. Prifti, “Ballë për ballë” K. Çashku, P. Milkani, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” dhe “Gurët e shtëpisë sime” Dh. Anagnosti, “Amiko” Cizia Zyke, produksion francez. Në teatër ka interpretuar rreth shtatëdhjetë role, midis të cilëve veçojmë: “Vizita e inspektorit” Xh. Pristli, (Dh. Pecani), `Monserati” E. Robles (P. Mani), “Vdekja e një komisioneri” A. Miler (F. Haxhiraj), “Vdekja e Dantonit” Byhner (V. Milçin), “Ditë vere” Mrozhek, (B. Lako), “Ariu” Çehov (S. Duni) etj. Në vitin 1992 interpreton në Teatrin e Kombësive në Shkup në produksionin “Varrtarët”. Në vitin 1975 është nderuar me çmimin e veçantë për filmin “Përballimi”.

Në vitin 1979 çmimin e veçantë për filmin “Ballë për ballë”. Në festivalin e filmit të vitit 1979 vlerësohet si aktori me i mirë i festivalit dhe nderohet me kupën e festivalit për rolin e Haliti i Beratit në filmin “Gjeneral gramafoni”. Në vitin 1979 është lauruar me çmimin e Republikës së shkallës së parë, për filmat “Gjeneral gramafoni” dhe “Ballë për ballë”. Në vitin 1982 është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri” klasi i parë, për interpretim në teatër. Në festivalin e filmit të vitit 1991 është shpallur aktori me i mirë për interpretimin e rolit të gjeneralit në filmin “Kthimi i ushtrisë se vdekur”. Në vitin 1985 fitoi titullin “Artist i Merituar” Në vitin 2005 ka marrë “Palmën e artë” si aktori më i mirë i Festivalit në edicionin e 29 “Cairo International Film Festival” me filmin “Megic Eye” të regjisorit Kujtim Çashku. Ky është çmimi më i madh i marrë nga një aktor Shqiptar në një festival të kategorisë A.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: