Gazetari Artan Hoxha i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24” ka dhënë sot detaje të tjera për operacionin e  Policisë të koduar “Patriot”, në kuadër të të cilit u arrestuan mbrëmë 4 grabitësit e 3.2 milionë dollarëve të BKT afër Rinasit dhe u shpallën në kërkim 4 të tjerë .

Hoxha sqaroi se deri më tani policia ka mundur të ‘rikuperojë’ afërsisht gjysmën e shumës së grabitur, sipas tij diku tek 1.2 milionë euro.  “Ky grup, vetëm në 2 grabitjet zyrtare ka grabitur një shifër diku 7 mln euro. Shifra e rikuperuar derimë tani, gjithmonë sipas burimeve nga policia, llogaritet dikur në 1.2 milionë euro. Por në dijeninë time është më e vogël. Por pak rëndësi ka. Sepse nëse ti ke grupin paratë i gjen kollaj”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Hoxha theksoi se nuk shpreson se do gjenden të gjitha paratë e grabitura. “Nuk ka shumë shpresë për mua se do gjendjet sasia e lekëve të grabitura. Sepse në të kaluarën banda ka treguar se pas grabitjeve i ka investuar paratë, përjashto një pjesë që i kanë prishur”, – tha Hoxha.
Po sot policia sqaroi disa nga mënyrat se si grabitësit e 3.2 mln dollarëve i fshehën një pjesë të parave të vjedhura, që nga groposja në tokë duke i futur brenda tenxhereve me presion deri tek kasaforta brenda një servisi makinash.

“Në Vlorë u gjetën në një ambient të jashtëm të groposura dy tenxhere me presion të mbushura me kartëmonedha Paund, Dollarë Amerikanë, Australiane, Kanadeze si dhe Euro”,- sqaroi policia. Ndërsa “në Vorë tek servisi i familjes Murataj u gjet një kasafortë me një sasi Eurosh e Dollarë”, – thekson më tej policia.

Burime për “BalkanWeb” konfirmuan më herët se një pjesë të parave grabitësit i kanë investuar në blerje banesash e biznesesh, ndërsa një pjesë i kanë humbur në bixhoz.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb