Nga: Jeton Selimi*
Miroslav Vujadinoviç, portieri i Laçit, tregohet ambicioz përpara ndeshjes së kthimit me Inter Bakun në Azerbajxhan. Sfida e parë në Laç u mbyll me shifra të barabarta, 1-1, ndërsa ky rezultat u jep më tepër përparësi azerëve për kualifikimin. Por, “gardiani” malazez i Laçit i intervistuar nga “fanat.az” pohon se ekipi i tij nuk ka shkuar për turizëm në Baku. Sipas tij, Laçi do të arrijë kualifikimin, pasi e ka studiuar mirë kundërshtarin. “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë ndaj Interit, ne e dimë këtë. Por, ne nuk kemi ardhur këtu si turistë. E respektojmë Interin, por në planet tona është që të kualifikohemi më tej; ne do të synojmë që të përmbushim qëllimin tonë në ndeshjen e nesërme. Duke marrë parasysh forcën e konkurrentit tonë, unë mund të them me besim të plotë se ne do të hedhim një hap më tej”. “Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ne. Ne gjithashtu jemi të trajnuar siç duhet në përputhje me rrethanat e kësaj sfide, e kemi studiuar mirë kundërshtarin tonë. Pavarësisht rezultatit, ne e meritonim të fitonim takimin e parë, jo të barazonim. Para së gjithash, duhet të kemi përqendrim të plotë në lojë”.
Partizani
Duke qenë se kanë një rezultat për të përmbysur, të kuqtë pritet të bëjnë disa ndryshime në formacion, edhe pse rreshtimi taktik pritet të jetë 4-3-3. Në portë duket i sigurt rikthimi i portierit Alban Hoxha, që është rikthyer të stërvitet pas dëmtimit që mori në ndeshjen e parë, ku dhe u detyrua të largohet nga fusha në minutën e 30-të. Mbrojtja pëson vetëm një ndryshim krahasuar me sfidën e parë, pasi Ibrahimi përfundon në stol me Arbnor Fejzullahun, që rikthehet të luajë në krahun e djathtë të mbrojtjes. Në të majtë pritet të aktivizohet nga minuta e parë Renaldo Kalari, teksa qendra e këtij reparti mbetet e pandryshuar me Ditmar Bicajn dhe Endri Vrapin. Mesfusha do të ketë një ndryshim të rëndësishëm, pasi në treshen përpara mbrojtjes rikthehet Mentor Mazrekaj, që do të aktivizohet në të majtë me Idriz Bathën në qendër dhe Emiliano Vilën në të djathtë. Edhe sulmi do të pësojë një ndryshim të vetëm me Stefan Raçiç në majën e këtij reparti, i mbështetur nga Sebino Plaku në të majtë dhe autori i golit të sfidës së parë, Astrit Fazlliu në të djathtë. Edhe në këtë ndeshje, kapiteni Nderim Nexhipi pritet ta nisë nga stoli, pavarësisht dëshirës së tifozëve të Partizanit për të parë në fushë nga minuta e parë.
Kukësi
Kukësi pritet të bëjë disa ndryshime në formacion për sfidën e kthimit ndaj Torpedo Zhodinos në Bjellorusi. Trajneri Marselo Troizi shkon për të mbrojtur rezultatin 2-0 të sfidës së parë dhe nisur nga kjo mendon të hedhë në fushë një formacion më shumë mbrojtës. Rreshtimi taktik pritet të jetë i njëjtë me atë të sfidës së “Qemal Stafës”, 4-2-3-1, teksa porta dhe mbrojtja janë të konfirmuara. Dmitri Stazhilla tashmë e ka vendin të sigurt në katërkëndorin e nënkampionëve të vendit dhe mbrojtja gjithashtu do të jetë e njëjtë, me Rrahman Hallaçin në të djathtë, Gledi Micin në të majtë dhe në qendër Renato Malotën dhe Gentian Muçën. Ndryshimet trajneri brazilian pritet t’i bëjë pikërisht në mesfushë. Musolli dhe Shameti duken të preferuar për të luajtur që nga minuta e parë, teksa do të zëvendësojnë Edon Hasanin dhe brazilianin Biringueta, që luajtën si titullarë në sfidën e parë. Ndërkohë, i sakrifikuari i tretë pritet të jetë Moreira dhe në vend të tij mund të aktivizohet Xheferson, që nga krahët do të ketë autorin e golit të parë në sfidën e së enjtes së 2 korrikut, Kariokës dhe Erik Floresit. Ndërkohë, në sulm duket i padiskutueshëm pozicioni i goleadorit Pero Pejiçit.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: