ELBASAN- Partizani është mposhtur 0-1 në ndeshjen e parë të turit të tretë të Ligës së Kampioneve përballë Red Bull Salzburg në “Elbasan Arena”. Të kuqtë janë ndëshkuar nga një penallti mëse e evitueshme në momentin e tyre më të mirë gjatë kësaj ndeshje, ku ata patën rastet më të volitshme për të shënuar.

Dy skuadrat kanë mbyllur pa gola 45 minutat e para, ku rastin më të mire e kishte Partizani në minutën e 36 me Ekuban. Të kuqtë u mbrojtën mirë në 30 minutat e para, duke mos i dhënë mundësinë kundërshtarëve të gjuanin në portë, shkruan “panorama sport’. Skuadra e Sormanit është hedhur në sulm vetëm në 10 minutat e fundit, duke vënë disa herë në vështirësi prapavijën austriake.

Në pjesën e dytë, Partizani u gjend në epërsi numerike pas pak minutash, si pasojë e kartonit të kuq të Samaseiku. Por atëherë kur dukej se të kuqtë po fitonin terren dhe po i afroheshin golit, ata u ndëshkuan pas një penalltie të shkaktuar nga Ibrahimi. Më pas, Kalari bëri një ndërhyrje të gabuar duke marrë karton të kuq dhe duke i hequr Partizanit edhe avantazhin numerik në fushën e lojës. Ky episod praktikisht mbylli ndeshjen pasi në minutat e mbetura nuk kishte shumë momente për t’u shënuar nga të dy skuadrat.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: