Klubi i Partizanit ka reaguar në lidhje me deklaratat e bëra nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, në emisionin Fair Play nga Enkeleida Zeko në News 24” mbrëmjen e djeshme rreth klubit të kuq. Gazeta “Panorama Sport” kërkoi një mendim nga klubi për këto deklarata, dhe reagimi i klubit vijon si më poshtë.

“Ndoqëm me vëmendje prononcimin e Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së në një prej emisioneve sportive dhe atë çka ai deklaroi veçanërisht lidhur me ecurinë dhe organizimin e FK Partizanit në kompeticionet që organizon institucioni që drejton Z. Shulku.

Klubi, dëshiron ti përgjigjet Z. Shulku, duke ja bërë të qartë për të disatën herë që Partizani në asnjë rast nuk ka kërkuar dhe as do kërkojë kurrsesi favorizime të asnjë lloj natyre në ecurine e vet në garën sportive. Ajo që ne kemi kërkuar në çdo rast e vit pas viti ka qenë mbajtja dhe organizimi i garës nga ana e FSHF-së në mënyrë të drejtë e të paanshme. Meqenëse Z. Shulku ka marrë përsipër që të flasë në emër të të gjithëve për meritat dhe rezultatet e klubit Partizani, mendojmë se atij i takon në rradhë të parë ti përgjigjet bindjes së të gjithëve që gara e organizuar nga institucioni që ai drejton është e telekomandur, e stisur, e paracaktuar, e shitur dhe e blerë dhe shpesh herë edhe e politizuar. Nëse ai pretendon të kundërtën e kësaj bindjeje le të pyesë veten e le të na thotë se përse produkti që prodhohet nga institucioni qe ai drejton ka nivele mediokre besueshmërie e për rrjedhojë shikueshmërie. Le të pyesë veten e le të na thotë se përse rezultatet e ndeshjeve të caktuara parashikohen me saktësi të përpiktë shumë javë përpara se të luhen, e madje parashikohen që në start edhe fituesit e kampionateve, kupave, pjesëmarrësit në kupat e europës apo dhe ato ekipe që bien e ngjiten në kategori. Le të pyesë veten e le të na thotë përse stadiumet jane bosh kudo në Shqipëri, madje edhe kur hyrjet në to shpesh here janë falas.

Megjithë problematikat e ndryshme që Klubi ynë ka patur vitet e fundit në organizimin e vet të brendshem, Z. Shulku duhet ta dije fare mirë që është e pamundur të ngresh nje strukturë të suksesshme Klubi dhe që të funksionojë në mënyrë efiçente për arritjen e rezultateve, brenda këtij sistemi. Sistem ku gara organizohet pa integritet, ku ka favorizime të njërës apo tjetrës palë, ku njëra palë goditet përmes trupës së arbitrave apo tinëzisht përmes komisioneve të disiplinës si e si të mos marrë atë ç’ka i takon në fushën e lojës e tabelën e klasifikimit, ndërsa për palën tjetër shpesh bëhen “gabime njerëzore” në favor. Për këtë arsye s’ka sesi emrat e mëdhenj apo trajnerët e huaj edhe me CV të rëndësishme që kanë ardhur në ekipe të caktuara vendase të kenë pasur edhe mundësinë më të vogël për të qenë të suksseshëm, madje shpesh herë janë larguar edhe të llahtarisur nga ky realitet. Eshtë e vërtetë që disa klube brenda sistemit të organizuar e drejtuar nga institucioni i Z.Shulku kanë stafe më të ulta në numër se të FK Partizanit, por cilit prej këtyre modeleve suksesi ti referohemi, atij që është bërë objekt leksionesh problemore nëpër Europë, apo atij tjetrit që në strukturën e vet ka një përgjegjës “për marrëdhëniet tregtare me arbitrat e komisionet e disiplinës” ose dhe një përgjegjës tjetër me buxhet të caktuar për tu futur “hajdutçe” brenda shtëpisë së tjetrit?! Se fundmi dëshirojmë të pyesim Z. Shulku, pasi zyrtarisht nuk na ka kthyer ende përgjigje: Për çfarë arsye FK Partizani u gjobit me 200.000 lekë, në ndeshjen e parafundit të këtij sezoni, vendim i cili u mor një ditë pas ndeshjes përmbyllëse të kampionatit?!

Çfarë tha Shulku për Partizanin ditën e djeshme në emisionin Fair Play nga Enkeleida Zeko?

“E pavërtetë nëse Partizani e klube të tjera e mendojnë një gjë të tillë. Shpeshherë aludohet me gabimet arbitrare. Nuk mendoj se Partizani ka pasur penalitete apo favorizime në garë. Janë të gjithë të bindur që Partizani është aty çka ka dhënë në fushën e lojës, ato pikë ka. Si ish-lojtar e kapiten i Partizanit, nuk është se jam shumë i afërt që ta di si funksionon nga brenda klubi, por personalisht mendoj që këto vitet e fundit ka qenë ndërhyrja e shumë faktorëve ne ekip, e stafit drejtues. Pasi në ekipet e tjera ku ka më pak, një staf më konkret në menaxhimin e lojës e resurseve, kanë qenë më rezultative. Te Partizani kjo shtrirja e madhe, duke marrë emra të mëdhenj e duke harxhuar financa, duke ndërruar stafe, qoftë teknik e drejtues, padiskutim nuk do të japë rezultatin e duhur. Kjo ka qenë pika e dobët”.

http://www.panorama.com.al/sport/ekskluzive-partizani-i-pergjigjet-shulkut-te-shohe-garen-qe-drejton-fituesit-dihen-pa-nisur-kampionati/

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb