Partizani ka kaluar sot turin e kualifikimit për Ligën e Kampioneve, pasi ka fituar me penallti. Në “Grupama Arena” të Budapestit u luajt ndeshja e kthimit të turit të dytë të Ligës së Kampioneve mes Ferencvaroshit vendas dhe Partizanit. Ndeshja e parë është mbyllur me barazimin 1-1 ndërsa me të njëjtin rezultat janë mbyllur edhe 90 minutat e kohës së rregullt të takimit të kthimit. Dy skuadrat iu drejtuan shtesave, por askush nuk gjeti rrugën e rrjetës gjatë 30 minutave, ndërsa Partizani ka fituar me penallti.

TAKIMI
Skuadra shqiptare është gjendur shumë shpejt në disavantazh në këtë duel. Në minutën e 11, Ramirez depërtoi në krahun e djathtë të mbrojtjes shqiptare dhe Krasniqi ndërhyri me një kohë vonesë në zonë duke shkaktuar penallti. Gera realizoi nga pika e bardhë, edhe pse Hoxha kuptoi krahun e gjuajtjes së tij. Vetëm një minutë më vonë, Fili shpërdoroi një mundësi të artë për golin e barazimit, kur i vetëm para portierit nuk dërgoi topin në rrjetë nga një pozicion i favorshëm. Pas disa rasteve të tjera të të kuqve, në minutën e 40-të, erdhi goli që rihapi kualifikimin. Një harkim nga e djathta i Ibrahimit, gjeti të papërgatitur mbrojtjen vendase dhe Hysing devijoi topin në portën e tij.

Pjesa e dytë u zhvillua thuajse e gjitha në gjysmëfushën e Partizanit, që u tërhoq për të administruar rezultatin dhe për të goditur në kundërsulm. Kjo i dha mundësinë Ferencvaroshit që të rrezikonte disa herë portën e Hoxhës. Por kapiteni i të kuqve u tregua në lartësinë e duhur dhe neutralizoi çdo gjuajtje drejt katërkëndorit të tij. Edhe Partizani krijoi disa aksione të rrezikshme në kundërsulm, më të mirin në minutën e 67 kur Ekuban nuk arriti të devijonte para portës një harkim premtues të Filit.
Gjithsesi, të kuqtë administruan mirë minutat deri në fund të kohës së rregullt, duke çuar takimin në shtesa./pnoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb