Një takim emocionues dhe me shumë episode është zhvilluar në “Niko Dovana” aty ku Partizani ka marrë fitoren e parë në kampionat pas 5 javësh duke mundur Teutën. Të besuarit e Mark Lulianos kanë fituar 1-2 me përmbysje ndaj djemve të detit.

Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 17-të me Albi Dostin që ekzekutoi saktë një goditje dënimi duke shtangur portierin Alban Hoxha. Deri në këto minuta në fushë dukej një Partizan i lodhur që fati e ndihmoi të mos e pësonte golin e dytë. Fillimisht do të ishte një penallti e humbur nga kapiteni Nijaz Lena dhe më pas dy gola të anuluar që mbajtën të kuqtë në lojë.

Kur pritej vetëm përfundimi i 45-së minutave të para, Partizani surprizon me Trashin që dërgon skuadrat në dhomat e zhveshjes me rezultatin e barabartë 1-1. Mesfushori shënon gjithashtu golin e parë në kampionat për kryeqytetasit.

Pjesa e dytë sjell një Partizan të rilindur pas golit që shpesh synon kthesën. Do të ishte episodi i minutës së 78-të që do të përcaktonte takimin. Një goditje e lirë në zonë nga ku Partizani më pas fiton një 11-metërsh të ekzekutuar saktë nga Xhevahir Sukaj që i siguron ekipit 3 pikët e para.

Teuta e mbylli takimin me 9-të lojtar pasi Shehaj në të 78-ën dhe Dediç në të 87-ën u ndëshkuan me të kuqe.

Pas javës së 5-të, Partizani renditet në vendin e parafundit me 5 pikë, po aq sa Luftëtari dhe Vllaznia i vendit të 7-të dhe të 8-të. Ndërsa Teuta me humbjen e pësuar sot renditet e 4-ta me 7-të pikë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: